Deklaratat e pasurive, Qeveria shtyn 6 muaj afatin – Vendimi: Zyrtarët e lartë afat, deri më 31 tetor për të dorëzuar formularët
Nga 31 marsi, afati i deklarimit të pasurive dhe konfliketeve të interesit për zyrtarët e lartë është shtyrë deri më 31 tetor. Vendimi është miratuar nga Këshilli i Ministrave më datë 11 mars, dhe shtyn me shtatë muaj afatin e dorëzimit të fomularëve, bashkë me disa ndryshime të tjera në mënyrën e deklarimit.
Në bazë të ndryshimeve në Udhëzimin që rregullon procedurat, Subjektet deklaruese duhet të plotësojnë deklaratat e interesave privatë përkatëse, sipas mënyrës dhe afateve të mëposhtme:
a) Subjektet të cilët mbartin detyrimin ligjor të bëjnë deklarimin periodik vjetor të interesave privatë dhe konfliktit të interesave, për vitin 2021, duhet të plotësojnë deklaratën e interesave private periodike vjetore, në formë elektronike për subjektet në funksion, për pasuritë e akumuluara ndër vite dhe detyrimet financiare, me gjendje më 31.12.2021, si dhe burimin e krijimit të tyre.
Deklarata e interesave privatë periodike vjetore, në formë elektronike, për subjektet në funksion, duhet plotësuar dhe dorëzuar brenda datës 31 tetor 2022, si vijon: – në formë elektronike, duke kryer plotësimin dhe aprovimin e versionit përfundimtar të deklaratës në sistemin EACIDS, të vënë në dispozicion nga ILDKPKI-ja, dhe; – në formë shkresore, në zbatim të kuadrit ligjor në fuqi, deklarata e plotësuar në formë elektronike duhet printuar e nënshkruar në çdo fletë të saj, sipas rubrikave përkatëse dhe dorëzohet e mbyllur në zarf, pranë autoritetit përgjegjës të institucionit publik.”
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.