Deklarimi i të ardhurave individuale, Tatimet: 30 Prilli, afati i fundit

Data 30 prill është afati i fundit kur individët që kanë të ardhura vjetore mbi 2 milion lekë, mund të dorëzojnë deklaratën në organet tatimore. Referuar ligjit në fuqi, çdo individ, që përfiton të ardhura me burim në Republikën e Shqipërisë dhe jashtë saj, në shumën mbi 2,000,000 (dy milionë) lekë, është i detyruar që t’i deklarojë këto të ardhura, pranë administratës tatimore.
“Deklarata Individuale Vjetore e të Ardhurave është e detyrueshme të paraqitet gjithashtu edhe nga individët jo rezidentë, të cilët realizojnë të ardhura të tatueshme, me burim në Republikën e Shqipërisë, në shumën mbi 2,000,000 (dy milionë) lekë”, thuhet në noftimin e Tatimeve.
Individët janë të detyruar të deklarojnë:
– Të ardhurat bruto nga paga, apo shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit të individit.
– Të ardhurat bruto nga dividenti, për pjesëmarrje në shoqëri tregtare apo nga veprimtaritë e biznesit.
– Të ardhurat bruto nga qiraja dhe fitimet kapitale, nga shitja e pasurisë së paluajtshme, në pronësi të deklaruesit.
– Të ardhurat bruto, nga interesa bankarë.
– Fitimi kapital neto, i krijuar nga investimet në tituj, apo në pasuri të paluajtshme;
– Shuma bruto të fituara, nga lotari apo lojëra të tjera të fatit;
– Të ardhurat bruto nga pasuria intelektuale, licencat, të drejtat ekskluzive dhe pasuri të tjera, që përbëhen vetëm nga të drejta dhe që nuk kanë formë fizike.
– Fitimi kapital nga dhurimi.
– Të ardhurat bruto të realizuara jashtë, territorit të Republikës së Shqipërisë;
– Të ardhura bruto të tjera, të cilat nuk janë listuar më lart.
Deklarata për të ardhurat e përftuara në vitin 2017, dorëzohet vetëm në rrugë elektronike, nëpërmjet sistemit e-filing.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.