Dëmtimi i natyrës nga zjarret – Mitro: Pasojat janë afatgjata, minimalisht 10 vite për rikuperimin e tyre

Zjarret gjatë kësaj vere, të stimuluar edhe nga temperaturat e larta kanë djegur sipërfaqe të konsiderueshme pyje e kullotash duke mos kursyer edhe zonat turistike. Dëmet e shkaktuara në biodiversitet, sipas koordinatores së institutit të mbrojtjes së Natyrës në Shqipëri, Marinela Mitro, kanë pasoja afatgjata. Në një intervistë për televizionin SCAN, Mitro tha se dëmtimet e hasura në mjedis duan të paktën 10 vite të rikuperohen.
“Këtë vit kanë qenë të prekura parqet kombëtare në veri të vendit, Divjaka, i cili është një park shumë i njohur, parku kombëtar Shebenik-Jabllanicë, i cili po ashtu është një park i njohur dhe shumë i rëndësishëm për sa i përket biodiversitetit, por edhe në jug pranë parkut kombëtar Llogara. Mund të them që në radhë të parë ka një efekt negativ në biodiversitet. Varet nga grada sigurisht, por në rastet më të mira duhen minimalisht 10 vite të paktën për të filluar mbulesa e ulët vegjetative, sepse për drurët është pothuajse në disa raste e parekuperueshme”, tha ajo.
Mitro shtoi se zjarret gjatë kësaj vere kanë pasur kosto edhe në Turizëm duke shkatërruar edhe disa struktura akomoduese.
“Zjarret në parqe nuk kanë efekt vetëm për biodiversitetin, por kanë një efekt shumë negativ edhe në zhvillimin e aktiviteteve turistike. Në radhë të parë rrezikohen turistët dhe banorët vendas. Në radhë të dytë shkatërrohen strukturat akomoduese dhe njëkohësisht strukturat turistike, të cilat mund të jenë platforma vëzhgimi të shpendëve, shtigje. Pra të gjitha këto zjarre ndikojnë në prishjen e këtyre infrastrukturave të ngritura më parë dhe e bëjnë të vështirë rikuperimin dhe zëvendësimin e tyre”, tha Mitro.
Nga muaji qershor i këtij viti deri në ditën e sotme janë regjistruar mbi 280 raste të zjarreve masive me rrezikshmëri të jetëve njerëzore pasuri e mjedis.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.