Dërgesat e emigrantëve – 615 milionë euro për vitin 2016

Dërgesat e emigrantëve në ekonominë shqiptare për vitin e kaluar arritën në 615 milionë euro. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, remitancat u rritën me 17 milionë euro ose rreth 2.8% krahasuar me vitin 2015.
Pas rënies në gjysmën e parë të vitit, gjashtëmujori i dytë rezultoi pozitiv. Prurjet më të larta u regjistruan në tremujorin e fundit, kur arritën në 165 milionë.
Në dy vitet e fundit, remitancat kanë regjistruar me një përtëritje të lehtë, pas një reduktimi gradual gjatë viteve të krizës. Megjithë këto përmirësime, shifrat janë shumë larg pikut prej 950 milionë eurosh në vit që regjistrohej një dekadë më parë.
Remitancat po ndjekin një tendencë rënëse, fenomen ky i natyrshëm, që lidhet me shkëputjen graduale të lidhjeve mes emigrantëve që kanë ndërtuar jetën e tyre jashtë dhe Shqipërisë.
Rritja e viteve të fundit mund të lidhet kryesisht me kthimin përfundimtar të shumë shqiptarëve nga emigrimi, kthim i shoqëruar edhe me riatdhesimin e kursimeve të tyre jashtë vendit.
Viti 2016 ishte pozitiv edhe për investimet e huaja direkte. Sipas Bankës së Shqipërisë, vitin e kaluar investimet e huaja prekën vlerën e 959 milionë eurove, duke thyer rekordin e vitit 2013.
Fluksi i investimeve direkte u rrit me 17.2% krahasuar me vitin 2015. Besohet se rritja e investimeve të huaja i dedikohet kryesisht punimeve të gazsjellësit TAP dhe shitjes gjatë vitit të kaluar të dy prej kompanive të mëdha koncesionare, Bankers Petroleum dhe Tirana International Airport.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.