“Detyrat” e nxënësve në shkollë – Siguria / Maska, jo detyrim deri në klasën e 5-të, tualetet do pastrohen çdo 30 minuta
Udhëzuesi i Ministrisë së Arsimit, përmban edhe masat e sigurisë dhe higjienës, të cilat bazohen në protokollin e sigurisë të miratuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve në datën 21 gusht. Ai parashikon një sërë detyrimesh për nxënësit, mësuesit, personelin ndihmës në shkolla, prindërit e drejtuesit e shkollave. “Detyrat” për nxënësin fillojnë që para hyrjes në ambiente e shkollës, ku përveç matjes së temperaturës, mbajtjes së distancës prej 1.5 m, duhet të jenë të pajisur me maskë me një përdorim ose mbrojtëse të fytyrës prej tekstili si dhe shami letre për higjienën e hundëve.
Megjithatë, mbajtja e maskës gjatë mësimit për nxënësit e ciklit të ulët 9-vjeçar është vetëm e rekomandueshme, ndërsa për ciklin e lartë 9-vjeçar dhe të mesëm maska është detyrim. Nxënësit nuk do të lejohen të dalin nga ambientet e shkollës dhe të rikthehen përsëri, ndërkohë që dritaret e klasave ku zhvillohet procesi mësimor do të qëndrojnë të hapura për të mundësuar ajrosjen. Gjatë qëndrimit në klasa protokolli kërkon që nxënësit të qëndrojnë të ulur nga një në bankë, ndërsa këto të fundit të kenë një distancë 1.5 m larg njëra-tjetrës.
Ndërkaq, sa i takon higjienës kërkohet larja e duarve pas çdo veprimi që mund të përbërë rrezik për përhapjen e virusit, sikurse është prekja e hundës, syve, gojës, etj. Ndërkohë që, në strukturat arsimore duhet të sigurohet uji i rrjedhshëm, sapuni i lëngshëm, letra për fshirjen e duarve dhe xheli me përmbjatje alkooli 60% në të gjithë ambienetet e shkollës. Gjithashtu, përcaktohet se tualetet duhet të pastrohen dhe dezinfektohen çdo 30 minuta, ndërsa klasat pas përfundimit të procesit mësimor.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.