Mësim deri në orën 19:45 – Ministria e Arsimit nxjerr udhëzuesin final, 3 skenarët për zhvillimin e procesit mësimor
Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka publikuar udhëzuesin final, mbi bazën e të cilit do të zhvillohet mësimi gjatë vitit shkollor 2020-2021. Sipas dokumentit, procesi mësimor bazohet mbi ecurinë e epidemisë të shkaktuar nga COVID-19, teksa ndahet në 3 skenarë të ndryshëm. Skenari i parë parashikon zhvillimin e mësimit në ambientet e institucioneve arsimore, ndërkohë që në çdo rast numri maksimal i nxënësve në klasa nuk duhet të jetë më shumë se 20.
Shkollat që zakonisht zhvillojnë mësimin me një turn dhe garantojnë ruajtjen e distancës në klasë do të zhvillojnë një proces normal mësimor, ku ora e mësimit zgjat 45 minuta. Në rastin e shkollave që në kushte normale zhvillojnë mësim me një turn, por që kanë klasa me numër të lartë nxwnësish, atëherë klasa do të duhet të ndahet në 2 grupe. Në këtë rast, kohëzgjataja e orës mësimore do të jetë 30 minuta, ndërsa grupi i dytë e përfundon mësimin në orën 15:00. Ndërkaq, në rastin kur shkollat në kushte normale zhvillojnë mësimin me 2 turne, do të jetë e domosdoshme ndarja në 4 nënturne.
Në këtë rast kohëzgjatja e orës së mësimit do të jetë 25 minuta, ndërsa shkollat do të jenë në hapura deri në orën 19:45. Skenari i dytë parashikon një zhvillimin e mësimit të kombinuar, ku një javë do të jetë në shkollë dhe një javë në kushtet e shtëpisë. Kjo në varësi të ecurisë së epidemisë, që përcaktohet nga Ministria e Shëndetësisë. Ndërkohë që skenari i tretë parashikon zhvillimin e mësimit vetëm në distancë, përmes platformës së dedikuar akademi.al.
Në dokumentin e publikuar nga Ministria e Arsimit saktësohet se skenarët mund të jenë fleksibël sepse zbatimi i tyre në shkolla mund të varet nga situata lokale e pandemisë së COVID-19 ose nga situata që mund të krijohen në shkolla të veçanta. Kjo nënkupton që të tre skenarët mund të zbatohen në të njëjtën kohë në të gjithë vendin, në varësi të situatave përkatëse të shkollave, qyteteve apo të vendit tonë. Disa shkolla mund të kombinojnë edhe variantet brenda një skenari në varësi të numrit të nxënësve që kanë në klasa.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.