Detyrimet e vendeve të Eurozonës – Rritet borxhi publik në Itali dhe Greqi. Mesatarja bie në 85.1%
Borxhi publik në Greqi dhe Itali, që janë vendet me nivelin më të lartë në Eurozonë, u rrit vitin e kaluar, ndërkohë që e gjithë zona e valutës së përbashkët regjistroi një rënie të detyrimeve.
Rritja e hendekut në Greqi dhe Itali, pavarësisht se pritej, po dëmton rregullat fiskale të Bashkimit Europian, që kërkojnë uljen graduale të borxhit për vendet që kalojnë kufirin. Borxhi total i 19 vendeve që ndajnë euron ra në 85.1% në raport me Produktin e Brendshëm Bruto në 2018-ën, nga 87.1% në vitin 2017, sipas të dhënave të Eurostat. Defiçiti i shpenzimeve ra gjithashtu në 0.5% nga 1% që preku në vitin 2017.
Të dhënat përkuan me rënien e borxhit të Gjermanisë në 60.9% të Produktit të Brendshëm Bruto, nga 64.5%. Ekonomia më e madhe në Europë pati gjithashtu një rritje të sufiçitit publik në 1.7% të prodhimit, nga 1% që regjistroi në 2017-ën. Megjithatë, në Greqi, borxhi u rrit në 181.1% të PBB në vitin 2018, që është norma më e lartë në Eurozonë. Rritja nga 176.2% që regjistroi Athina në vitin 2017, erdhi kryesisht prej këstit të fundit të kredisë, nën programin e fundit të shpëtimit që përfundoi në Gusht 2018.
Italia, vend ku qeveria populiste nisi planin e shpenzimeve të mëdha, pati një rritje të borxhit në 132.2% të PBB, nga 131.4% që kishte në 2017. Komisioni Europian, që ka detyrën e monitorimit të buxheteve të Eurozonës, u përmbajt vitin e kaluar nga gjobitja e Italisë. Komisioni ka deklaruar se do të vlerësojë përsëri përputhjen e Romës me rregullat fiskale në muajin Qershor, pasi të pajiset me të dhënat e fundit mbi borxhin nga Eurostat.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.