Dita botërore e zemrës – Manastirliu: Brenda mandatit do të përfundojmë të gjitha projektet

Në Ditën Botërore te Zemrës, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka siguruar vazhdimin e investimeve në shëndetësi. Gjatë inagurimit të pavijonit të rikonstruktuar të Reanimacionit të Kardiologjisë në QSUT, ministrja u shpreh se brenda mandatit do të përfundojnë të gjitha projektet, duke i bërë apel biznesit të kontribuojë me investime.
“Të gjitha bizneset, të gjithë miqtë tanë mund të kontribuojnë në të gjithë spitalet e Shqipërisë për të bërë një punë çdo ditë. Qeveria është e angazhuar të investojë për shëndetësinë duke ulur shpenzimet nga xhepi i qytetarëve, siç ka ndodhur në rastin e paketave shëndetësore dhe padyshim duke investuar për përmirësimin e teknologjisë, përmirësimin e furnizimit me barna dhe materiale mjekësore. Dhe projektet brenda këtij mandati do të përfundojnë”, u shpreh Manastirliu.
Sipas kreut të Hemodinamikës, Artan Godo, sëmundjet e zemrës zënë përqindjen më të madhe të sëmundjeve në tërësi.
“Në qendrën ngjitur të hemodinamikës, koronarografisë këtë vit kryhen mbi 6 mijë procedura dhe shpëtohen mijëra jetë nëpërmjet ndërhyrjes në kohë tek të sëmurët me infarkt të miokardit”, tha Godo.
Brenda këtij viti janë hapur dy qendra të reja të trajtimit të sëmundjeve kardiologjike në vend dhe një laborator në qytetin e Fierit. Sipas ministres, performanca e shërbimit në Reanimacionin e Kardiologjise në QSUT që prej vitit 2015 është rritur me një shërbim 24 orë duke shpëtuar mbi 3 mijë jetë.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.