Ditë sekuestrimesh në Shqipëri – Pas Durrësit, “megabllokim” 12 milionë euro në Fier!
Policia e Shtetit ka bërë me dije finalizimin e mega-operacionit të koduar “Furtuna”, për gjurmimin, evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të përfituara nga veprimtaria kriminale. Sipas njoftimit janë sekuestruar pasuri me vlerë të përllogaritur me rreth 12 milionë euro, si pasojë e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të drogave të forta.
Strukturat hetimore të Drejtorisë për Krimin Ekonomik e Financiar në Departamentin e Policisë Kriminale seksioni i Fierit, në bashkëpunim me Agjencinë e Menaxhimit të Aseteve të Sekuestruara e Konfiskuara, kanë arrestuar shtetasin A.SH, banues në Fier dhe shtetasin grek TH. K nën akuzën e importimin, magazinimin, përzierjen, falsifikimin, ricertifikimin, trafikimin, transportimin dhe shpërndarjen e kokainës nga vende të Amerikës Latine, shkruhet në njoftim.
Sipas Policisë si rezultat i koordinimit, bashkërendimit dhe bashkëveprimit mes strukturave hetimore Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, ka sekuestruar pasuritë e mëposhtme të shtetasit A.SH dhe personave të tjerë familjarë të tij
Këto pasuri përfshijnë:
- 3 shoqëri dhe konkretisht shoqëri ndërtimi e tregtimi gazi në Fier, Durrës, Tiranë, Korçë etj.
- 1 hotel trekatësh në Fier dhe një njësi shërbimi bashkëngjitur;
- 2 vila trekatëshe;
- 5 njësi shërbimi me sipërfaqe 7 982 m2;
- 3 apartamente banimi;
- 4 garazhe me sipërfaqe prej 1 092 m2, në Fier, Tiranë, Durrës;
- 8 793 m2 tokë, në Tiranë, Durrës, Fier;
- 20 000 euro në llogaritë bankare;
- Një automjet me vlerë 40 000 euro;
Policia e Shtetit i bën thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë me organet përkatëse për të ndihmuar në evidentimin e pasurive të paligjshme të vendosura nga persona me aktivitet kriminal duke denoncuar në Komisariatin Digjital apo në numrin pa pagesë 112 çdo rast të tillë e çdo paligjshmëri në cilëndo fushë që ajo shfaqet në anonimat të plotë.
Sekuestrohen pasuri 750 mijë euro në Durrës! I përkasin një 56 vjeçari italian
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.