Dobësohet “Made in Germany” – Bien porositë te firmat gjermane për shkak të luftës tregtare
Porositë industriale në Gjermani kanë rënë prej kërkesës së dobët nga klientët brenda vendit dhe në Eurozonë gjatë muajit Prill, duke shënuar muajin e katërt radhazi të rënies, ndërkohë që pasiguria mbi tregtinë globale ka lënë pezull planet e investimeve të firmave. Të dhënat e zyrës Federale të Statistikave tregojnë se fuqizimi i ekonomisë më të madhe të Europës mund të humbasë vrull, ndërkohë që norma e rritjes u përgjysmua në tremujorin e parë.
Kontratat për mallrat “made in Germany”, ranë me 2.5% në muajin Prill, pas një rënieje me 1.1% në Mars. Administrata e Donald Trump ka hapur një hetim tregtar për të zbuluar nëse importet e makinave kanë dëmtuar industrinë e Shteteve të Bashkuara. Kjo mund të sjellë tarifa në 25% prej motiveve të sigurisë kombëtare, që janë përdorur edhe për çelikun dhe aluminin, gjë që mund të godasë industrinë më të rëndësishme në Gjermani.
Të dhënat treguan se kërkesa për mallra kapitale dhe të konsumit pati rënien më të madhe, kryesisht prej porosive të ulëta nga vendet e Eurozonës. Ekonomia e Gjermanisë u rrit me 0.3% në tremujorin e parë të vitit, pas një rritjeje me 0.6% në fund të 2017-ës. Për këtë vit, Qeveria projekton një normë rritjeje me 2.3%.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.