“Donaldi ynë” konfirmohet në krye të KiE

Donald Tusk u konfirmua si President i Këshillit të Europës, pothuajse në unanimitet me 27 vota pro dhe 1 kundër. Vota e vetme kundër për polakun erdhi nga Polonia.
Armiqtë e tij politikë në Varshavë nuk e aprovojnë kriticizmin e tij ndaj Trump, duke e akuzuar se po mbjell frikë dhe se kërkon ballafaqim.
Por Europa duket e dashuruar pas Tusk, aq sa pas zgjedhjes së Trump si president të SHBA-së, ai u bë “Donaldi ynë”. Kancelarja Merkel tha se mandatimi i dytë i Tusk do të tregonte një shenjë stabiliteti për BE-në, ndërsa kryeministri i Maltës, i cili do të mbikëqyrë zgjedhjet prej presidencën e Këshillit, tha se konsultimet e javës së kaluar kanë treguar një mbështetje të fortë për të.
Donald Tusk lindi si i biri i Donald dhe Eva Tusk në qytetin verior të Polonisë, Gdansk më 22 prill 1957. Jeta si djali i një marangozi dhe si pjesë e një minoriteti të persekutuar ishte e vështirë për Tusk, por në vitin 1980 ai ia arriti të diplomohej si student historie.
Që në rini, ai u përfshi në lëvizje politike studentore dhe shumë shpejt u konfirmua si lider natyral. Ai punoi si gazetar, përpara se të themelonte Kongresin Liberal Demokratik, një parti e cila mbështeste tregun e lirë.
Në zgjedhjet e vitit 2007, Tusk i cili vinte nga shumë vite në opozitë, u shpall fitues i zgjedhjeve me partinë e tij Platforma Civike, e qëndroi në detyrë deri në vitin 2014.
Më 30 Gusht 2014, në mbledhjen e Këshillit u njoftua se Tusk do të ishte Presidenti i ardhshëm i Këshillit të Europës. Menjëherë më pas, më 9 shtator, Tusk dha dorëheqjen si kryeministër. Deri më atëherë, ai ishte kryeministri që kishte qëndruar më gjatë në detyrë gjatë Republikës së Tretë Polake.
Postin e presidentit të Këshillit Europian ai e trashëgoi nga Herman Van Rompuy falë edhe mbështetjes nga liderë europianë me peshë, sidomos nga Angela Merkel.
Tusk futet në listën e politikanëve që duan ta shohin Europën gjithmonë e më të bashkuar. Që pas marrjes së detyrës ai ka punuar për të promovuar një përgjigje të unifikuar europiane ndaj ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në Ukrainë. Sipas tij, administrata e Trump përbën një rrezik për BE, të barabartë me Rusinë agresive dhe “luftërat, terrorin dhe anarkinë në Lindjen e Mesme dhe Afrikë”.
Donald Tusk dhe gruaja e tij Malgorzata Sochacka kanë dy fëmijë: një djalë 35 vjeçar, Mihal dhe një vajzë 30 vjeçare, Katarzyna.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.