Drejtoria Rajonale Lezhë e Shkodër – Vjero: Të nisin punën për sezonin turistik për të rritur vetëdeklarimet

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve Vasilika Vjero ka zhvilluar një vizitë pune me drejtuesit e Drejtorisë Rajonale Lezhë dhe Drejtorisë Rajonale Shkodër.
Ajo shoqërohej nga Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Xhavit Curri, nga Drejtori i Hetimit Tatimor, Enertil Canaj, nga Drejtori i Hetimit Tatimor të Rajonit Verior, Mirsad Sylja, si dhe nga Drejtoresha e Kontrollit Tatimor Iris Ago.
Duke vlerësuar rezultatet e deritanishme të dy drejtorive rajonale, Vjero kërkoi shtimin e përpjekjeve për të rritur performancën edhe gjatë periudhës në vijim, duke vënë theksin te përmbushja e afateve për realizimin e kontrolleve të planifikuara.
“Si Drejtoria Rajonale Lezhë, ashtu edhe ajo Shkodër duhet që të kenë në fokus të punës së tyre, jo vetëm rritjen e të ardhurave, por edhe përmirësimin e shërbimit ndaj tatimpaguesve, duke koordinuar punën nga zyra dhe në terren për t’u njohur nga afër me problematikat”, tha Vjero.
Ndërkohë, ajo nënvizoi edhe një herë kërkesën për ngritjen e grupeve të punës të posaçme për verifikimin e gjendjes së fermerëve edhe në Drejtorinë Rajonale Shkodër, me qëllim rritjen e formalizimit të kësaj kategorie.
Më tej, u la detyrë edhe nisja e punës për marrjen e masave për sezonin turistik, me qëllim reduktimin e shkallës së informaliteti dhe rritjes së vetëdeklarimit. Po ashtu, Vjero u kërkoi gjithashtu edhe që biznesi të asistohet me informacionin e nevojshëm për plotësimin e dokumentacioneve tatimore në zonat kryesore turistike.
Ndërsa gjatë inspektimit në zyrën e Shërbimit ndaj Tatimpaguesve në Lezhë, Vjero theksoi rëndësinë që ka rritja e cilësisë së shërbimit, plotësimi i nevojave të dedikuara ndaj tatimpaguesve, kryesisht atyre që do të përfshihen në skemën e TVSH-së nga data 1 Prill.
Sipas saj, përveç këshillimit në “Këndin e Asistencës për Biznesin e Vogël”, duhet të realizohen edhe vizitat e planifikuara në terren nga grupet e punës për t’i ardhur në ndihmë biznesit të vogël me informacionet e nevojshme.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.