Drejtoritë Arsimore do të shkrihen nga 13 në 4 – Nikolla: Dyfishojmë numrin e mësuesve ndihmës

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla, ka prezantuar gjatë takimit me temë “Impakti i buxhetit 2018 në arsim”, ndryshimet kryesore në këtë fushë.
Ndër prioritet kyçe për vitin e ardhshëm janë përfshirë politikat e arsimit gjithëpërfshirës, të cilat kërkojnë të arrijnë normën e frekuentimit 100% për fëmijët e grupmoshave 6-16 vjeç, si edhe rritjen e regjistrimeve në shkolla 9-vjeçare me 10-15% për nxënësit romë dhe egjiptianë, si edhe me 10% për nxënësit me aftësi të kufizuara.
Për të arritur objektivin e fundit, buxheti 2018 parashikon dyfishimin e mësuesve ndihmës, të cilët sot janë 310 mësues.
“Brenda këtij mandati ne do të mundësojmë mësues ndihmës për çdo fëmijë që ka nevojë për asistencën e mësuesit ndihmës. Kemi marrë të gjitha masat me fakultetet e edukimit por dhe me institucionet e tjera që ne të bëjmë trajnimin e këtyre mësuesve. Që të jenë me të gjitha aftësitë e duhura profesionale, që këta fëmijë të integrohen”, tha Nikolla.
Një tjetër ndryshim i pritshëm gjatë vitit të ardhshëm është edhe reduktimi i drejtorive arsimore nga 13 në 4. Këto 4 institucione të reja do të jenë përgjegjëse edhe për kryerjen e inspektimeve në shkolla, një element që vitet e fundit kishte munguar.
Në buxhet parashikohen edhe dhënia e teksteve shkollore falas për rreth 33 mijë nxënësit e arsimit parashkollor, nga klasa e parë deri në klasën e pestë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.