Drekë për të moshuarit në vështirësi ekonomike – Veliaj: Më shumë investime në infrastrukturë

Data 1 Tetor shënon ditën ndërkombëtare të të Moshuarve. Me këtë rast, Bashkia e Tiranës ka shtruar në qendrat sociale dreka për të gjithë të moshuarit në vështirësi ekonomike.
I pranishëm në një prej këtyre qendrave, Veliaj, pasi u ka shërbyer drekën disa dhjetëra të moshuarve, ka dashur të tregojë edhe mbështetjen që Bashkia kërkon t’u japë moshave të treta.
“Erdha t’ju uroj të gjithëve gëzuar festën e 1 Tetorit, Ditën e të Moshuarve. Besoj se një qytet e ka shumë të rëndësishme të bëjë punime në infrastrukturë, për rrugë, për ujësjellës, të ketë parqe, çerdhe, kopshte, shkolla. Por mbi të gjitha, një qytet është shumatorja e njerëzve. Të mos harrojmë se, ajo që e bën qytetin qytet është familja e madhe e njerëzve që banojnë në atë qytet, e kjo do të thotë respekt për këdo që ka dhënë kontribute, që vazhdon të japë kontribute, pavarësisht se ndoshta nuk është në punë aktive, por është në moshën e tretë”, deklaroi kryebashkiaku.
Sipas Veliaj, investimet në kënde të reja çlodhëse janë me përfitim jo vetëm për vogëlushët, por edhe për moshën e tretë, pasi është një infrastrukturë e nevojshme për ta.
“Këndet e lodrave nuk janë më shumë për fëmijët, sesa për gjyshërit dhe për gjyshet, sepse është një mjedis ku piqemi edhe si familje, të ndajmë hallet me njëri-tjetrin, të diskutojmë problemet e komunitetit. Ndaj do të vazhdojmë edhe këtë vit, që përveç këndeve të lodrave, të kemi edhe kënde për të moshuarit, edhe një tavolinë ku luhet shah, domino, edhe më shumë hapësira sidomos mes pallateve. Do të vazhdojmë edhe këtë vit me 50 kënde të tjera, që çdo lagje të ketë një hapësirë të gjelbër për të kaluar kohën në natyrë”, tha Veliaj
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.