Dy “fytyrat” e turizmit – Wttc: Të parët në rajon për peshën e sektorit, të parafundit për investimet
Pas 10 vitesh kontributi direkt i turizmit në ekonominë shqiptare do të jetë në masën 9.3% të PBB, nga 8.5% që është aktualisht, ose në 220.4 miliardë lekë, nga 140 miliardë lekë që është aktualisht. Të dhënat dalin në pah në studimin më të fundit të Këshillit Botëror të Turizmit për impaktin e turizimit në ekonominë shqiptare për 2018.
Kontributi i përgjithshëm ndërkohë, ku përfshihet i gjithë zinxhiri i ekonomisë ku ky sektor jep impakt pritet të jetë sa 26.3% e PBB këtë vit, ose 432 miliardë lekë, çka përkthehet në 3.3 miliardë euro. Në 2028 kjo shifër do të ngjitet pranë nivelit të 700 miliardë lekëve, thotë këshilli botëror i turizmit.
Në drejtim të peshës që zë sektori në ekonominë e përgjithshme, Shqipëria zë vendin e parë të padiskutueshëm në rajon, duke lënë prapa vende si Greqia, Kroacia apo mali i zi. Në nivel botëror vendi ynë renditet i 26-të nga 135 ekonomi.
Por jo e njëjta gjë mund të thuhet për peshën që zënë investimet në këtë sektor mbi totalin e investimeve kapitale. Me investimet në sektor që marrin vetëm 7.5% të totalit të investimeve kapitale, Shqipëria renditet e 69-ta në botë, duke u renditur e parafundit në rajon, më mirë vetëm se Bosnje Hercegovina.
Këshilli Botëror i Turizmit parashikon që sektori në vendin tonë të rritet me vetëm 3.9% këtë vit, që është ndër normat më të ulëta në rajon dhe në kontinent, çka na vendos të 87-tët në botë ndër 135 ekonomi. Por në dekadën e ardhshme, thotë raporti, rritja do të përshpejtohet në 4.7%, që është edhe norma e dytë më e lartë në rajon.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.