“E-albania” shtrenjton marrjen e dokumenteve – Shërbim në pika interneti, Gajda: Politika qeveritare po humbet qëllimin për t’u ofruar falas

Ofrimi i shërbimeve online përmes portalit e-Albania, jo vetëm që nuk po merret falas por ka ekspozuar qytetarët ndaj kostove të larta. Pamundësia për të përdorur shërbimet online i ka orientuar drejt pikave të internetit, që kanë marrë rolin e punonjësve të shtetit, duke i asistuar në nxjerrjen e dokumenteve kundrejt pagesave, që për shumicën e tyre janë kosto të papërballueshme.
Erdion Maçolli nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit thotë se kjo situatë është e papranueshme ndërsa komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi Robert Gajda thotë se politika qeveritare po humbet qëllimin për të cilin u ndërmor. Sipas Gajdës, shërbimet duhet të jenë të barabarta për qytetarët, por barazia nënkupton që t’i përshtatësh shërbimet sipas nevojave.
Për këtë arsye, sipas tij ka rëndësi që ndërmarrja e politikave qeveritare dhe sidomos e atyre që prekin një numër të madh qytetarësh, të konsultohen me të gjithë institucionet, në mënyrë që situata si këto të krijuara me portalin e-Albania, të parandalohen.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.