E majta fiton në Finlandë – Antti Rinne shpall fitoren. Rezultat i ngushtë me nacionalistët
Lideri i social demokratëve të majtë në Finlandë, Antti Rinne, shpalli fitoren në zgjedhjet e përgjithshme të ditës së Diel, pasi rezultatet treguan se partia e tij fitoi me një rezultat të ngushtë. Social demokratët dhe nacionalistët (Finns Party) patën një ndryshim fare të ulët në rezultat, duke reflektuar shqetësimet në vendin Nordik mbi emigrimin dhe sistemin e shtrenjtë të mirëqenies. Social Demokratët e opozitës fituan 17.7% të votave, ndërsa nacionalistët morën 17.5%, sipas rezultateve të plota të publikuara nga Ministria e Drejtësisë. Kjo bën që Antti Rinne të kthehet në kryeministrin e parë të majtë në Finlandë në 2 dekada.
“Prisja një rezultat më të mirë. Prisja që mbështetja për ne të arrinte në 20%, por megjithatë jemi partia më e madhe. Kjo është hera e parë që prej vitit 1999 që social demokratët janë partia e kryeministrit.”
Partia e qendrës së djathtë të kryeministrit që po largohet, Juha Sipila, mori 13.8% të votave. Me një parlament të copëzuar dhe ndarje të thella brenda partive për mënyrën se si do të trajtohen rritjet e kostove të shërbimeve publike, bisedimet për koalicion pritet të zgjaten. Antti Rinne kishte thënë se vendi duhet të fuqizojë sistemin e mirëqenies dhe se planifikon ta bëjë këtë duke rritur taksat. Partia nacionaliste ka fituar mbështetje të madhe kohët e fundit, për shkak të rritjes së ndjesisë kundra-emigrim, por Rinne ka përjashtuar mundësinë e formimit të një koalicioni me këto.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.