Efektet e mbylljes së Qeverisë – Ankohen punëtorët federalë. Rriten presione për marrëveshje
Punonjësit e Qeverisë Federale shprehën ankesat e tyre në një mbledhje të mbajtur nga senatori demokrat, Chris Van Hollen.
Ata janë përballur me probleme në pagesën e faturave bazë dhe janë shqetësuar për nevojat e tyre, ndërkohë që Qeveria qëndron e mbyllur për 17 ditë. Presidenti Donald Trump, lajmëroi se do të adresojë popullin dhe vizitojë kufirin me Meksikën këtë javë. Qeveria Federale qëndron pjesërisht e mbyllur për shkak të përplasjeve për financimin e murit.
Kjo lëvizje tregon se presidenti republikan nuk ka qëllim që të tërhiqet nga premtimi i tij për të ndërtuar murin, që ai e sheh si një barrierë për emigracionin e jashtëligjshëm dhe trafikun e drogës. Demokratët në Kongres thonë se muri do të jetë i shtrenjtë, jo efecient dhe i pamoralshëm. Megjithatë, presioni për të arritur një marrëveshje po rritet, ndërkohë që po ndihen efektet e mbylljes së Qeverisë, përfshirë reduktimin e programit të kuponave të ushqimit.
Zv/Presidenti Mike Pence tha se avokatët e Shtëpisë së Bardhë po vlerësojnë mundësinë që Trump të shpallë gjendjen e emergjencës kombëtare në mënyrë për të gjetur financim alternativ për murin.
Megjithatë, Trump nuk ka vendosur të përdorë këtë taktikë. Është ende e paqartë se çfarë motivi do të përdorë Trump për të shpallur emergjencën kombëtare.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.