Efektet e paketës “1 mld euro” – Shtysa kryesore për një rritje ekonomike mbi 4% gjatë dy viteve të ardhshme
Instituti i Vienës për studime ekonomike ka shkurtuar ndjeshëm projeksionet për ecurinë e ekonomisë shqiptare gjatë këtij viti, me 0.3 pikë përqindje.
Ndër të tjera, institucioni, në raportin më të fundit për rajonin jep një vlerësim edhe për ecurinë e ekonomisë së vendit tonë gjatë këtij viti, si dhe evidenton arsyet se përse është rishikuar në rritje ekonomia përgjatë dy viteve të ardhshme.
Theksi vihet edhe te mbiçmimi i monedhës vendase, Lekut. Raporti thotë se, sezoni turistik, ristrukturimi i sektorit bankar dhe fluksi i investimeve të huaja direkte, janë të tre faktorë të pamjaftueshëm për të justifikuar rënien e euros dhe forcimin e Lekut.
Pavarësisht ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë, efekti sezonal, pra turizmi, do të ketë efekt, duke përçuar luhatshmëri në kursin e këmbimit, thuhet më tej në raport.
Sa i përket kuadrit të përgjithshëm, Instituti i Vienës vlerëson pozitivisht hapin e reformave. Edhe ecuria e tregut të punës vlerësohet si mjaft e mirë. Në raport thuhet se, zhvlerësimi me 0.3 pikë përqindje vjen si pasojë e një sërë rreziqesh që i janë shtuar ekonomisë shqiptare.
Ndërkohë, rishikimi në rritje i ekonomisë për dy vitet e ardhshme është rrjedhojë e projekteve në infrastrukturë, që janë rrjedhojë e programit 1 miliard euro.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.