Efektet e pandemisë në mikrofinancë – Anketimi/ Rikthimi në normalitet i vështirë, 67% e kompanive nuk planifikojnë rritje pagash
Kriza e pandemisë COVID-19, ka filluar të zbehë efektet negative në industrinë e shërbimeve financiare jo-bankare, dhe pritet që periudha në vijim të jetë më pozitive, edhe pse në 12 muajt e ardhshëm nuk parashikohet rikthim i ritmit të sipërmarrjes në nivelet para pandemisë. Ky është konkluzioni në të cilin ka dalë raporti i bërë publik nga Shoqata Mikrofinanca Shqiptare, nga një anketim i kryer me kompani kredidhënëse, kompani që operojnë me shërbime për dërgesa parash dhe pagesa të ndryshme, biznese që kryejnë pagesa utilitare, si dhe klientët e tyre.
Sipas vëzhgimit, 56% e kompanive janë të pakënaqur nga klima e sipërmarrjes në Shqipëri dhe mendojnë se produktiviteti i tyre nuk do të ketë rritje në vijim. Nga ana tjetër, 67% e bizneseve që operojnë në industrisë së mikrofinancës nuk planifikojnë të kenë rritje pagash të konsiderueshme dhe vetëm 22% e kompanive planifikojnë të rrisin pagat me 5% në të ardhmen. Ndërkohë që asnjë prej tyre nuk planifikon një rritje më të lartë.
Po ashtu 67% e tyre planifikojnë të ulin kostot dhe të rrisin efiçiencën, por lajmi i mire duket se shumica e aktorëve të mikrofinancës janë duke planifikuar rritjen e numrit të punonjësve. Nga anketimi del në pah gjithashtu se vetëm 22% e kompanive planifikojnë investime të mëdha në zhvillimin e kompanisë dhe 11% e tyre planifikojnë të zgjerohen jashtë vendit. Ndërkohë që shihet se papunësia pritet të rritet nëse situata ekonomike nuk ndryshon.
Sa i takon përshtatjes ndaj situatës së pandemisë, marrëdhënia me klientelën duket se nuk është afektuar masivisht pasi 78% e kompanive bien dakord që ata kanë patur rrugët e duhura digjitale te komunikimit me ta. Kjo e fundit nxori në pah nevojën për të rritur nivelin e kanaleve të komunikimit digjitale me klientët.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.