Ekonomia britanike humbet vrull – Dalja pa marrëveshje nga Europa shqetëson bizneset
Ekonomia e Britanisë ka humbur vrull në periudhën tremujore që përfundoi në Tetor, duke treguar se pasiguria në lidhje me Brexit vazhdon të japë ndikim. Rritja e Produktit të Brendshëm Bruto u ngadalësua në 0.4% nga 0.6% që ishte në tremujorin e tretë, sipas zyrës kombëtare të Statistikave.
Vetëm për muajin Tetor, rritja ekonomike u regjistrua në 0.1%, duke dalë nga stanjacioni prej rimëkëmbjes së industrisë së shërbimeve. Sipas zyrës së Statistikave, vrulli i shkaktuar nga vala e të nxehtit në muajt e Verës rezultoi i shkurtër.
Shqetësimet për daljen nga Europa pa marrëveshje, po cenojnë ekonominë nëpërmjet uljes së besimit të bizneseve dhe konsumatorëve.
Të dhënat për ekonominë vijnë një ditë përpara votimit kritik në parlament. Deputetët pritet të refuzojnë marrëveshjen që Kryeministrja Theresa May negocioi me Bashkimin Europian.
Kjo hap mundësinë e daljes pa marrëveshje të Britanisë në 29 Mars. Tregjet presin që Banka e Anglisë të përmbahet nga rritja e normave të interesit për të paktën 1 vit. Megjithatë, goditja në inflacion nga dalja “kaotike” e Britanisë, mund ta vështirësojë ndihmën drejt ekonomisë nëpërmjet politikave monetare, si ç’ndodhi pas referendumit të 2016-ës.
Sipas të dhënave, pavarësisht rënies së paundit, kontributi që ka ardhur nga tregtia ka qenë zhgënjyes. Në muajin Tetor, deficiti në mallra u rrit.
Për tremujorin e tretë, deficiti në mallra dhe shërbime u zgjerua në 9.8 miliardë paund, duke fshirë të gjithë kontributin drejt rritjes ekonomike.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.