Ekonomia e Suedisë ngadalësohet në 0.4% për tremujorin e parë, nuk devijon politikat e Riksbank

Ekonomia e Suedisë u rrit me një normë më të ngadaltë se projeksionet për tremujorin e parë, megjithatë, ekonomistët thonë se pritet një fuqizim në tremujorët e ardhshëm.
Sipas ekonomistëve, ngadalësimi nuk ka gjasa të bëjë që Banka Qendrore të rivlerësojë politika monetare. Rritja e ekonomisë së Suedisë e ka tejkaluar Europën prej vitesh dhe politikat e Riksbank, me normën e interesit në një rekord të ulët prej -0.5%, janë kritikuar për mospërputhjen me situatën ekonomike në vend.
Produkti i Brendshëm Bruto u rrit me 0.4% në tremujorin e parë nga fundi i 2016-ës, ndërsa me bazë vjetore u rrit me 2.2%, raporton zyra e Statistikave. Tremujori i katërt 2016 u rishikua gjithashtu në një normë më të ulët prej 2.1%.
Riksbank, që është dhe banka qendrore më e vjetër në botë, projektonte një rritje me 2.8% me bazë vjetore. Megjithatë, analistët e Swedbank thonë se trendi i ekonomisë është për një rritje, pasi të gjithë treguesit sinjalizojnë një fuqizim në pjesën tjetër të vitit.
Shitjet me pakicë u rritën me 1.3% në muajin Prill nga Marsi, ndërsa me bazë vjetore u shtuan me 4.5%, shumë sipër projeksioneve.
Riksbank mbajti normën e interesit të pandryshuar në -0.5% në takimin e fundit të politikave monetare në Prill, zgjeroi programin e blerjes së aktiveve dhe shtyu parashikimin për normalizimin monetar në mes të 2018-ës.
Në muajin Prill, çmimet e konsumit u fuqizuan duke prekur objektivin e Riksbank prej 2%, por politikëbërësit e interpretuan si të përkohshme.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.