Ekonomia në 4 vitet e ardhshëm – Konsolidim fiskal, rritje ekonomike e qëndrueshme

Qeveria Rama 2 ka bërë publik programin e saj ekonomik për katër vitet e ardhshme. Sipas Ministrit të Financave, Ekonomisë dhe Punës, kryefjala e programit ekonomik është rritja ekonomike e qëndrueshme dhe punësimi.
Gjatë mandatit 2017-2021 qeveria angazhohet me prioritet në konsolidimin e stabilitetit makroekonomik, me uljen e borxhit, rritjen e punësimit, zhvillimin e infrastrukturës, sektorit energjetik e minerar, bujqësisë, agroindustrisë dhe turizmit. Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet politikave ekonomike e financiare që stimulojnë investimet në drejtim të rritjes dhe të zgjerimit të industrializimit nëpërmjet shtimit të aktiviteteve me karakter industrial. Kjo do të synojë rritjen e kapaciteteve prodhuese e përpunuese të sektorit industrial në Shqipëri.
Një masë fiskale që pritet të merret është ulja në 5% e tatim-fitimit për kompanitë që prodhojnë në teknologji . Një tjetër objektiv i qeverisë Rama 2 është rritja ekonomike mesatare rreth 4.5 për qind për të arritur në rreth 5.5 – 6 për qind të PBB-së në fund të mandatit.
Ulja e papunësisë në nivele njëshifrorë është një tjetër sfidë, ndërkohë që është njoftuar për hapjen e 220 mijë vendeve të reja të punës. Programi 2017-2021 rikonfirmon konsolidimin fiskal si një objektiv prioritar të tij.
Investimet publike të financuara nga buxheti i shtetit do të jenë rreth 5% të PBB-së, synohet 5.2 në 2018-tën. Me paketën “1 Miliard” do të injektohen më shumë se 1 miliard USD në ekonomi, në bashkëpunim me sektorin privat dhe në tre vite mendohet që të ketë të paktën 3.4 miliardë me gjithë paketën 1 miliardëshe, investime nga buxheti dhe nga kjo paketë në ekonomi, të cilat mund të prodhojnë të paktën plus dy për qind nga e planifikuara rritje ekonomike.
Do të vijojë puna ndaj anti-informalitetit, ndërkohë që qeveria ka marrë zotim që në fund të këtij mandati të shkojnë me të ardhurat në 31.5 për qind të PBB.
Sipas programit ekonomik politika fiskale e katër viteve të ardhshme do të orientohet drejt qëndrueshmërisë dhe nxitjes së sektorëve prioritarë. Progresiviteti do te vazhdoje të jetë në qendër të filozofisë së kësaj qeverie.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.