Ekonomia “rrëzon” Metën për rentën minerare – Lihet në fuqi variant i qeverisë, kromi dhe bakri i përpunuar, 3 vjet pa këtë taksë
Komisioni parlamentar për Ekonominë dhe Financat ka rrëzuar dekretin e presidentit që kthente për rishqyrtim ndryshimet në ligjin “Për taksat kombëtare”, ku parashikohet përjashtimi nga taksa e rentës minerare për 3 vjet, për të gjithë mineralet metalore që përpunohen në vend me qëllim eksportin.
Këshilltari i presidentit paraqiti edhe njëherë argumentet se përse ndryshimet në ligj nuk duheshin miratuar, duke theksuar se po favorizohet vetëm një degë e industrisë.
Miratimi i këtyre ndryshimeve ligjore kaloi përmes shumë kundërshtimeve, ku fillimisht komisionet parlamentare rrëzuan variantin e qeverisë për përjashtimin e kromit dhe bakrit të përpunuara nga renta për 3 vjet, duke kërkuar që përjashtimi të përfshinte të gjithë mineralet për një periudhë 1-vjeçare.
Por, ky variant i miratuar nga komisionet u rrëzua në seancën plenare, që votoi një amendament të deputetit Taulant Balla, i cili kërkoi lënien në fuqi të variantit të qeverisë. Efekti financiar në buxhetin e shtetit nga heqja e taksës së rentës minerare për mineralet metalore të përpunuar përllogaritet në 500 mln lekë, për 3 vjet.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.