Ekonomia, zhvillim mbi pritshmëritë, kredia rritje 7,7% – BSH: Rikuperimi më i shpejtë nga parashikimet, problem inflacioni i ulët dhe tregu i punës
Ekonomia shqiptare po shfaq një trend të qartë rikuperimi, madje me një ritëm më të lartë se pritjet, gjë që është reflektuar në rritjen e pritshmërive për zhvillimin e saj në vijim. Në këtë përfundim arrin Banka e Shqipërisë në Raportin Tremujor të Politikës Monetare, ku theksohet se vëmendje të shtuar duhet treguar ndaj normës së inflacionit, e cila vijon të mbetet e ulët, ashtu si dhe tregu I punës, I cili nuk ka marrë ende veten nga goditja prej Pandemisë.
Ekonomia shqiptare po shfaq një trend të qartë rikuperimi, madje me një ritëm më të lartë se pritjet, thekson Banka e Shqipërisë në raport. Pasi kaloi në territor pozitiv në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, rritja ekonomike u përshpejtua në 5.5% në tremujorin e parë të vitit 2021. Në terma të kërkesës, ajo u nxit nga rritja e konsumit dhe e investimeve, private dhe publike, si dhe nga rritja e eksporteve. Në terma sektorialë, rritja e aktivitetit ekonomik pasqyroi zgjerimin e njëkohshëm të sektorëve prodhues dhe të shërbimeve, me një ndikim pozitiv shtesë nga sektori i energjisë elektrike. Të dhëna indirekte flasin për norma më të shpejta rritjeje gjatë tremujorit të dytë.
Ritmet e larta të rikuperimit janë pasyqruar në përmirësimin e situatës së kreditimit. Raporti zbardh se kreditimi i sektorit privat ka vijuar të shënojë rritje relativisht të shpejtë dhe vëllimi i kredisë për sektorin privat u rrit mesatarisht me 7.7% në tremujorin e dytë. Rritja e kredisë ka financuar së shumti rritjen e investimeve si të bizneseve ashtu edhe të familjeve, kryesisht për banesa.
Sa për inflacionin, Banka e Shqipërisë vëren se ai u rrit në 1.8% në tremujorin e dytë, duke qëndruar dukshëm mbi nivelin 0.9% të tremujorit paraardhës. Rritja e inflacionit pasqyroi kryesisht rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe të naftës, ndërkohë që çmimet e artikujve të tjerë të shportës nuk pësuan ndryshime të ndjeshme. Çmimet e ushqimeve kanë vijuar të jenë burim volatiliteti për inflacionin, ndërkohë që inflacioni bazë – I cili nuk përfshin në llogaritjen e tij çmime me natyrë të luhatshme – ka rezultuar I qëndrueshëm, rreth vlerës 1.4%. Inflacioni parashikohet të luhatet rreth niveleve aktuale gjatë muajve në vijim, duke rezultuar pranë një mesatareje 1.8% për vitin 2021.
Por Ndonëse në rritje, përmirësimi i faktorëve përcaktues për rritjen e inflacionit është ende i pamjaftueshëm për kthimin e tij në objektiv, thekson në raport Banka e Shqipërisë. Ndërkaq, si problem tjetër në raport evidentohet Tregu i punës, I cili nuk është rikuperuar ende nga efektet e pandemisë dhe vijon të karakterizohet nga nivele të ulëta punësimi, shkallë relativisht e lartë papunësie – e cila u rrit në 11.9% në tremujorin e parë – dhe presione të zbehta për rritjen e pagave.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.