Ekskluzive/ Ambasadori i Izraelit për ’60 Minuta’: Goditja e AL Jazera dhe AP, një pjesë e godinës përdorej nga Hamasi/ Nuk ka negociata, kërkojnë eleminimin e shtetit tonë

Prej ditësh situata e tensionuar midis Izraelit dhe Palestinës ka marrë mbi 200 jetë. Shembja e ndërtesës ku ishin redaksitë e televizionit, Al Jazera dhe AP ka qenë qendra e vëmendjes në të gjitha mediat ndërkombëtare. Në një intervistë për ’60 Minuta’ me gazetarin Arbër Hitaj, Ambasadori i Izraelit në Shqipëri, Noah Gal Gentler, tregoi arsyen e goditjes së godinës, ku sipas tij një pjesë e medias përdorej prej Hamasit për tu futur në tunelet e ndërtuara prej tij. Ambasadori nënvizoi se nuk është hera e parë që ata maskohen si gazetarë, pasi kanë përdorur edhe shkolla e spitale për të lëshuar raketa.
I pyetur nëse do të ketë negociata mes dy vendeve, ambasadori u shpreh se kjo nuk do të ndodhë pasi Hamasi kërkon eleminimin e shtetit të Izraelit. Në lidhje me numrin e civilëve të mbetur të vrarë, ai theksoi se nuk kanë qëllim të vrasin civilët, por kanë vetëm punë me organizatën terroriste të Hamasit. Ndërkaq, për shkaqet e rinisjes së konflikteve, amabasadori u shpreh se këtë herë ka qenë Jeruzalemi një justifikim, pork a ndodhur dhe herë të tjera me pretekte të ndryshme.
Intervista e plotë:
Arbër Hitaj: Si është situate aktuale e luftimeve?
Ambasadori Noah Gal Gentler: Aktualisht kemi luftë që ka zgjatur për të paktën ditët e fundit. Ne jemi sulmuar nga organizata terroriste Hamas me mbi 3 500 raketa kundrejt qyteteve tona nga rripi i Gazës. Kur them qyteteve, e kam fjalën qartësisht ndaj popullsisë civile. Qëllimi është i qartë, për të krijuar tension dhe frikë. Por, ne jemi të fokusuar për të ndaluar.
Arbër Hitaj: Ambassador me lejoni edhe njëhere për publikun e gjerë, kur rifilloi konflikti?
Ambasadori Noah Gal Gentler: Ka ndodhur edhe herët të tjera me pretekse të ndryshme. Kësaj radhe justifikimi ishte Jeruzalemi. Hamasi na sulmoi me raketa sikur të ishin rojtarët e qytetit të Jeruzalmit që është edhe kryeqyteti jonë, por kjo ishte thjesht një justifikim. Pasi ka ndodhur e njëjta gjë edhe shumë here të mëparshme, por me justifikime të ndryshme.
Arbër Hitaj: A keni filluar procesin e negociatave?
Ambasadori Noah Gal Gentler: Ne nuk mund të negociojmë me Hamasin sepse kjo organizatë nuk e njeh shtetin e Izraelit, të drejtën për të ekzistuar. Dhe në pjesën kryesore të Hamasit kërkohet eliminimi i Izraelit. Pra, ne nuk mund të negociojmë me Hamasin, por kjo është bërë nga ndërmjetësues në të kaluarën, herë nga amerikanët, egjiptianët apo katari.
Arbër Hitaj: Si asnjëherë më parë tensionet e brendshme kanë shpërthyer edhe brenda Izraelit, janë spontane apo të shtyra edhe nga faktorë të jashtëm?
Ambasadori Noah Gal Gentler: Padyshim që kjo është një ide e Hamasit për të krijuar trazira në shtetin e Izraelit, apo në zona të tjera, si në Liban, në Jordani e në Siri. Është ngjarje fatkeqe kjo që po ndodh, pasi kjo bashkëjeteëse prej vitesh mes arabëve dhe izraelitëve në shtetit tonë është shumë e rëndësishme. Por, ne do të nxjerrim para drejtësisë, ata që kanë shkelur ligjet, apo ata që kanë cënuar bashkëjetesën.
Arbër Hitaj: Ka shumë kritika për numrin e viktimave sidomos civilëve, a besoni se mund të evitohen në të ardhmen?
Ambasadori Noah Gal Gentler: Është shumë tragjike që ka viktima nga zjarri jonë apo nga Hamasi. Dhe disa viktima mes civilëve kanë humbur jetën nga zjarri i Hamasit. Por, ajo që po përpiqemi të bëjmë prej kohësh është të mbrojmë civilët e pafajshëm. Po ju jap një fakt, ne nëse kemi sulmuar një natë me bomba që shkonin mbi 450 tonë në godina të Hamasit, dhe asnjë civilë nuk u dëmtua, tregon për masat strikte që marrim për të evituar viktima. Ne më shumë se çdo ushtri tjetër në botë, kemi një procedurë që quhet trokitja në derë, ku para bombardimit të një ndërtese i marrim në telefon dhe i lajmërojmë që të largohen nga ndërtesa, sepse do të jetë një vend i rrezikshëm dhe njerëzit na dëgjojnë. Pra, dukshëm ne nuk kemi qëllim të vrasim civilë në rripin e Gazës. Ne kemi punë vetëm me organizatën terroriste të Hamasit, prej të cilës po vuajnë edhe shumë palestinezë nga diktatura e Hamasit. Ideja për të bombarduar civilët nuk do të çojë në asnjë vend, por fatkeqësisht, pavarësisht masave ndodhin edhe viktima në civilë.
Arbër Hitaj: Me jepni edhe një koment për ndërtesën e ku ishin redaksitë e televizionit Al Jazera dhe AP? A qëndrojnë faktet që Hamas po e përdorte godinën?
Ambasadori Noah Gal Gentler: Nuk bombaduam sepse donim të ndalonim gazetarët të bënin punën e tyre. Por, ne e bombarduam për arsye se kjo përdorej një pjesë nga media, por një pjesë nga Hamasi. Kemi infomacione se përdorej si hyrje nga Hamasi për tu futur në rrjetin e tuneleve që Hamasi ka vite që i ka ndërtuar. Pra, nuk ishte një ndërtese e pafajshme. Por, kjo nuk është hera e parë që ata maskohen si gazetarë, ka shumë raste të tjera ku Hamasi përdor shkolla, spitale etj, për të lëshuar raketa, pasi e dinë shumë mirë që nuk do ti sulmojmë këto godina pasi ka civilë. Ata i zgjedhin me qëllim këto godina. Dhe kjo është edhe pjesë e krimeve të luftës, e para sepse zgjedhin të lëshojnë raketa ndaj popullsise civile, por edhe duke përdorur godina civile.
Arbër Hitaj: Po rolin e fuqive rajonale si Irani apo Turqia, si e shikoni në këto përpasje?
Ambasadori Noah Gal Gentler: Turqia po mbështet Hamasin prej vitesh tani. Hamasi ka një zyrë qëndrore në Stamboll, madje mund t’iu përmend disa aktivitete të Turqisë. Por, kjo nuk krahasohet me Iranin, për të cilin kemi prova evidente që i furnizon me raketa dhe armative. Ajo që po përpiqemi të bëjmë me miqtë tanë egjiptianë është të bllokojmë sistemin e tyre të furnizimit me raketa sepse irani po e bën këtë në shumë vende të botës, si me Hezbollahun, në Liban, në Jemen. Është shumë e rrezikshme, sot janë kundër nesh, por nesër kundër të tjerëve.
Arbër Hitaj: Ndoshta fjala paqe duket shumë e vështirë në këto momente, a besoni se mund të ndodhë në një proces afatgjatë?
Ambasadori Noah Gal Gentler: Është një pyetje shumë e mirë. Para pak vitesh ne nuk kishim, por tani kemi me disa vende arabe paqe, me Egjiptin, Jordaninë, ndërsa vitin e kaluar nënshkruam marrëveshje me disa shtete, si Emirtet e Bashkuara Arabe, Bahrein, Sudanin, Marokun. Ky proces do të vijojë sepse vendet e botës arabe e kanë kuptuar se konflikti jonë me Palestinën nuk mund të jetë pengesë. Bota ka probleme të tjera, si varfëria, sëmundje dhe ne mund ti tejkalojmë këto probleme nëse luftojmë sëbashku. Por, nëse nuk flasim atëherë nuk mund ti përballojmë.
Arbër Hitaj / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.