Ekskluzive/Moody`s shkurton projeksionet – Italia do dëmtojë rritjen ekonomike. Kërkesat e popullit kërcënojnë financat
Në raportin më të fundit të agjencisë së vlerësimit Moody`s, të siguruar ekskluzivisht nga Scan, projeksionet për ekonominë shqiptare janë rishikuar në rënie.
Moody`s mban të pandryshuar në B1 me perspektivë të qëndrueshme notën e borxhit sovran të vendit tonë. Agjencia vlerëson se rritja ekonomike e Shqipërisë këtë vit do të jetë në 3.8%, 0.2 pikë përqindje poshtë nivelit të projektuar në fund të vitit të kaluar.
Edhe për vitin e ardhshëm, rritja projektohet e njëjtë, në 3.8%, nga 4% që vlerësohej më parë. Kjo, shpjegon “Moody`s”, vjen si pasojë e ngadalësimit të Eurozonës, por sidomos vështirësive ekonomike dhe financiare që po kalon Italia, një partner mjaft i ngushtë i Shqipërisë.
Pavarësisht uljes, këto projeksione janë mbi ato të Bankës Botërore, por bindshëm poshtë atyre të qeverisë shqiptare që flasin për një normë në 4.3%. Sa i përket zhvillimeve të fundit, agjencia vë theksin jo vetëm te protestat dhe kërkesat e fundit të studentëve, por edhe te kërkesat e tjera që mund të vijnë nga populli, sidomos përpara zgjedhjeve lokale.
Këto lloj kërkesash, thotë Moody`s mund të vënë qeverinë nën presion duke rritur shpenzimet. Kjo gjë do të përkthehej në një ngadalësim të procesit të konsolidimit fiskal.
Gjithsesi, në raport thuhet se vendimi i qeverisë për të ulur tarifat e studimit si dhe rritur buxhetin për arsimin, si përgjigje ndaj studentëve nuk pritet të ketë impakt në buxhetin e vitit aktual.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.