Eksportet/ Mallrat “Made in Albania” theksojnë orientimin drejt tregjeve të BE-së
Ndër katër partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë tre janë vende të BE. Italia, Greqia e Gjermani mbajnë peshën më të madhe të ekporteve shqiptare. Shifrat më të fundit të publikuara nga INSTAT tregojnë se tendenca e orientimit të mallrave “Made in Albania” drejt tregjeve europiane është në zgjerim.
Kështu përgjatë muajit shkurt rezulton që vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me shkurtin 2017 janë: Italia me 9,2 për qind, Spanja me 138,2 për qind dhe Gjermania me 25,9 për qind.
Ndërkohë për periudhën dymujore janar shkurt 2018 në krye të vendeve me të cilët Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe të eksporteve janë dy vende të BE. Kkrahasuar me dymujorin 2017 në janar shkurt 2018 eksportet shqiptare janë rritur 7,7 për qind me Italinë dhe 126,8 për qind me Spanjën.
Ky orientim gjithnjë e më i madh i eksporteve drejt vendeve të BE ka bërë që tregtia me vendet e rajonit të pësojë ulje. Kështu për muajin shkurt 2018 eksportet kanë pasur uljen më të madhe me Kosovën ku rënia është me 16,1 për qind, Maqedoninë -29,8 për qind dhe Serbinë me -1,5 %.
Sipas përllogaritjeve të INSTAT vetëm për muajin shkurt 2018, eksportet drejt vendeve të BE-së kanë zënë 79,2 të eksporteve gjithsej. Destinacionet më kryesore kanë qenë Italia me 37,3 për qind, Greqia me 7,0 për qind dhe Gjermania me 6,4 për qind. Ende dhe më e lartë është shifrave e eksporteve drejt BE për 2 muajt e parë të vitit. Sipas INSTAT në periudhën janar– shkurt 2018, eksportet drejt vendeve të BE-së kanë zënë 80,4 për qind të eksporteve gjithsej.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.