Eksportet sërish me probleme edhe në shtator, rënie me 5.5 %! Thellohet deficiti tregtar
Në Shtator 2019 eksportet e mallrave arritën vlerën 25 miliard lekë, duke u ulur me 5,5 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe duke u rritur me 23,4 %, në krahasim me Gusht 2019.
Ndërsa importet e mallrave arritën vlerën 52 mld lekë, duke u rritur me 2,0 %, në krahasim me një vit më parë dhe me 0,7 %, në krahasim me Gusht 2019. Referuat të dhënave të tregtisë së jashtme të publikuara nga INSTAT, deficiti tregtar i këtij muaji është 27 miliard lekë, duke u rritur me 10,0 %, krahasuar me Shtator 2018 dhe duke u ulur me 13,7 %, në krahasim me Gusht 2019.
Në rang nëntëmujori (janar-shtator), eksportet e mallrave arritën vlerën 225 miliard lekë, duke u ulur me 2,8 %, krahasuar me një vit më parë dhe importet e mallrave arritën vlerën 481 miliard lekë, duke u rritur me 3,0 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 256 miliard lekë, duke u rritur me 8,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2018.
“Rënia vjetore e eksporteve prej 5,5 %, këtë muaj është ndikuar nga grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -4,4 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -3,8 pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” me -0,8 pikë përqindje.
Në ndryshimin vjetor të eksporteve kanë ndikuar pozitivisht grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +2,4 pikë përqindje, “Makineri, pajisje, pjesë këmbimi” me +0,7 pikë përqindje, “Ushqim, pije, duhan” me +0,5 pikë përqindje” shkruhet në raportin e INSTAT.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.