Ekuilibri i bonove – Interesat rriten pranë nivelit 2%

Interesat e bonove të thesarit u rritën sërish në ankandet e kësaj jave, duke i dhënë fund, për momentin, ciklit të shkurtër të rënies së interesave që kishte karakterizuar muajt e parë të vitit 2017.
Në ankandin e të martës, bonot me maturim 12 mujor u emetuan me një interes mesatar prej 1.95%, në rritje nga interesi 1.8% i ankandit të mëparshëm.
Ndërkohë, edhe për bonot 6-mujore u regjistrua një rritje e lehtë e interesave në 1.54%, nga 1.52% në ankandin e fundit.
Kërkesa e tregut ishte sërish e lartë, në rreth 14.6 miliardë lekë, përkundrejt 12.8 lekë miliardë bono gjithsej të shpallura nga qeveria. Kjo tregon se tregu për momentin ka arritur një zonë ekuilibri, pas rritjes së shpejtë të interesave në katërmujorin e fundit të vitit të kaluar dhe korrektimit të pjesshëm në ulje për katër muajt e parë të këtij viti.
Kthimet nga investimi në bono janë stacionuar pranë niveleve të arsyeshme, me një lloj proporcioni normal në raport me interesat e tjera në tregun financiar.
Ekspertët presin që interesat të qëndrojnë të ulëta edhe gjatë këtij viti, në ndjekje të politikës monetare lehtësuese. Kjo nënkupton kthime të ulëta nga investimi i kursimeve në produkte financiare, por, nga ana tjetër, interesa të ulëta për kreditë bankare.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.