Energjia për korrikun – OSHEE blen me 57.2 euro/mwh

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike bëri me dije se ka shpallur ofertat fituese të kompanive që u ofruan në ankandin e kësaj të fundit për blerje energjie.
Kompania e shpërndarjes kërkoi që për periudhën 1 deri 31 korrik të blinte në tregun e parregulluar 260 400 megavat energji për të plotësuar kërkesën për konsum në vend duke i bashkangjitur kësaj sasie edhe pjesën shtesë që gjenerohet nga KESH sipas marrëveshjes që kanë operatorët.
Për blerjen e energjisë vetëm në korrik janë shpenzuar 14.8 milionë euro, çka e çon automatikisht çmimin për megavat/orë në 57.2 euro.
Sakaq OSHEE ka kërkuar import edhe për një sasi të kufizuar që do të plotësonte kërkesat për ditët e fundit të qershorit që çon në total vlerën e shpenzuar për import në 16.3 milionë euro.
Për të dyja lotet e tenderit shfaqën interes shtatë kompani. OSHEE arriti marrëveshje për pjesën e furnizimit në qershor me pesë kompani dhe për korrikun me 6 prej tyre.
Blerja e energjisë në tregun e parregulluar vjen në kushtet kur KESH ka përqendruar në menaxhimin e rezervës hidrike në kaskadë, ndërkohë që edhe koncesionarët e tjerë të hidrocentraleve në vend kanë parashikuar ulje të prodhimit.
Sasia e blerë | 260 400 MW |
Vlera për korrikun | 14 897 120 mln euro |
Çmimi mesatar | 57,2 mwh |
Nertila Maho/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.