Euro, rekord 6-vjeçar – Tremujori më i mirë që prej 2011, rritje me 7%

Monedha e përbashkët europiane ka regjistruar tremujorin më të fortë në 6 vite ndërkohë që e ardhmja ekonomike e rajonit vijon të marrë ngjyra gjithmonë e më të çelura.
Gjatë periudhës prill-qershor, monedha e përbashkët ka fituar më shumë se 7%, gjë që nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë që prej periudhës Janar-Mars të vitit 2011.
Pas fjalës së Mario Draghit ditën e Mërkurë, euro preku nivelin më të lartë të 1 viti, pavarësisht se bëhej fjalë vetëm për një spekulim të tregjeve, këtë e konfirmuan edhe zyrtarët më të lartë të Bankës Qendrore Europiane, që akuzuan aktorët e tregjeve për keqinterpretim të fjalëve të numrit një të Bankës Qendrore Europiane.
Euro vijon të këmbehet mbi nivelin e 1.14 dollarëve amerikanë. Gjithsesi, veç spekulimit të tregjeve dhe investitorëve, shtysa më e madhe për euron vjen nga perspektiva e ekonomisë, që ka hyrë në vrullin më të madh të një dekade.
Madje, rritja ekonomike e rajonit i`a ka kaluar edhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në tremujorin e parë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.