Falja fiskale – Ahmetaj: Ja pse qeveria mori një vendim të tillë

Projektligji për pagesën dhe fshirjen e pjesshme të detyrimeve tatimore dhe doganore si dhe procedurën e heqjes nga qarkullimi të mjeteve të transportit pas heqjes së detyrimeve është shoqëruar me debate në seancë plenare.
Ministri i Financave, Arben Ahmetaj tha se nga nisma është diskutuar me grupet e interesit dhe ka marrë mbështetjen e FMN-së.
Sipas tij, totali i borxhit i mbledhur që nga viti 1995 është 191 mld lekë dhe nga ky projektligj, falen pa asnjë kusht rreth 29 miliardë lekë.
Në replikë me deputetin socialist, Ben Blushi, ministri Ahmetaj, foli edhe për njohjen e minimumit jetik. Sipas tij, kjo arrihet vetëm me rritjen e punësimit dhe jo me vendime qeverie.
“E di ti që këtu kemi vënë taksë super për makinat e luksit. Sot për këta që janë në nevojë hoqëm një taksë. Pse e mohon? Se kam për detyrë që të lexoj ligjin faqe më faqe. Meqë ti e voton kundër këtë maxhorancë, ka ulur taksat. E vërteta është e vërtetë. Ne nuk i ndajmë në të pasur dhe të varfër e më pas i lyejmë me bojë. Nuk i ndajmë për arsye politike. Ju thatë pse tani? Kjo nuk është tani, pas ka nisur në mars të 2016-ës. Minimumi jetik si rritet? Duke i rënë bilbilit ti dhe unë?”, tha ministri.
Ahmetaj zbuloi se nëse socialistët marrin një mandate të dytë qeverisës, një nga reformat kryesore do të jetë ajo e ujit.
Diskutimet në seancë për projektligjin e fshirjes së pjesshme të detyrimeve tatimore dhe doganore u zhvilluan në të njëjtën kohë kur deputetët e opozitës zhvilluan protestën e tyre në çadrën e ngritur para kryeministrisë.
Florenc Drizari/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.