Fatkeqësitë natyrore, rriten sigurimet – Në portofolin sigurimi nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës, shtohet me 34.5% e vëllimi i primeve
Duket se qytetarët e bizneset po sensibilizohen gjithnjë e më shumë lidhur me rëndësinë e sigurimit të pronave nga fatkeqësitë, megjithëse trendi mbetet ende në nivele të ulëta. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare raporton rritje të dukshme të shumave që janë paguar gjatë këtij viti për të siguruar pronat nga fatkeqësitë natyrore, por edhe numrit të kontratave.
Në portofolat e Pronës, Përgjegjësive, Garancive të cilat gjatë periudhës janar-tetor 2021 siguruan mbi 2,8 miliardë lekë të ardhura në total, afërsisht 28 milionë dollarë, ku vendin e parë e zunë Zjarri dhe Dëmtime të Tjera në Pronë me rreth 61.49%, të pasuara nga sigurimi i Përgjegjësisë së Përgjithshme me 28.79% të totalit.
Në portofolin sigurimi nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës, gjatë periudhës janar-tetor 2021, vihet re një rritje prej 34.55% e vëllimit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 9.99% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar-tetor 2020, raporton AMF.
Sa I përket tregut në tërësi, Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-tetor 2021 kapën vlerën 15,7 miliardë lekë, ose 16.48% më shumë se në janar-tetor 2020. Gjatë periudhës janar-tetor 2021, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 952,992 me një rritje prej 21.34% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Lorenc Rabeta /SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.