Fermerët “braktisën” prodhimin e grurit – Ecuria ndër vite, produkti vendas mbulon vetëm gjysmën e konsumit
Fermerët vendas vit pas viti kanë hequr dorë nga kultivimi i drithërave të bukës në vend, duke i lënë hapësirë në rritje importit nga tregjet ndërkombëtare. Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë vitit 2020 janë prodhuar nga fermerët shqiptarë 684 mijë ton drithëra, 666 mijë ton në 2019 dhe 678 mijë ton në 2018. Por ajo që vihet re është se prodhimi i grurit, i cili është edhe më i konsumuari nga qytetarët, ka pasur rënie në raport me 2018.
Fermerët shqiptarë kanë prodhuar në total rreth 233 mijë ton grurë në 2020-ën, me një rritje të lehtë krahasimisht me 2019-ën, por me një rënie prej 7 mijë ton në krahasim me 2018. Ndërkaq, shifra është përgjysmuar në krahasim me vitet përpara demokracisë, pasi shumë bujq kanë zgjedhur të emigrojnë apo t’i lënë të mos kultivojnë këtë produkt. Nga ana tjetër, përgjatë gjithë këtyre viteve subvencionet shtetërore kanë lënë jashtë vëmendjes mbështetjen e prodhimit të drithërave.
Kështu, prodhimit mbetet ende në nivele problematike në raport me me konsumin, duke mbuluar vetëm gjysmën e kërkesës, ku pjesa tjetër kompensohet totalisht nga importi i shteteve si Rusia, Ukraina, Serbia, SHBA, etj etj duke i bërë konsumatorët shqiptarë të jenë lehtësisht të ndikueshëm ndaj luhatjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Dhe lufta midis Rusisë dhe Ukrainës është një tjetër moment që shkakton pasiguri sa i takon sigurimit të sasisë së nevojshme në vend por edhe çmimeve. Vendi ynë importon mesatarisht 230 ton grurë.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.