Fierza, 20 metra nën mesataren historike! – KESH: Me kontratat afatgjata, jemi në nivelet mesatare. Në mars, 11.4 milionë euro për importin

Niveli i liqenit të Fierzës mesditën e të premtes rezultoi në 259 metra mbi nivelin e detit, apo 20 metra nën nivelin mesatar shumëvjeçar që është 279.4 metra. Ndërkohë që, sipas të dhënave nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, të vëna në dispozicion për TV SCAN, rezerva faktike në Kaskadën e Drinit është 290 GWH.
Gjithsesi, KESH bën me dije edhe përllogaritjet e këtyre treguesve, nëse përfshihen edhe kontratat e mbyllura afatgjata, sipas të cilave rezerva nga parablerja është 228 GWH, duke e çuar totalin në 518 Gwh. Ndërkohë që, sipas KESH, Fierzës mund t’i shtohen edhe 12 metra, si përkthim nga sasia e para blerë, duke e çuar në 271 mmnd nivelin e Fierzës, shumë pranë nivelit mesatar shumëvjeçar.
Ndërkaq, ndryshe nga projeksionet negative të qeverisë, që parashikonin shpenzimin e 100 mln eurove për blerjen e energjisë gjatë muajit mars, të dhënat zyrtare të përpunuara nga TV SCAN tregojnë se për periudhës 1-25 mars janë shpenzuar rreth 11.4 mln euro. Në total janë blerë 42.645 mwh energji, teksa çmimi mesatar me të cilin është siguruar energjia nga importi arrin është rreth 266.69 euro/mwh.
Kjo është një shifër relativisht e ulët edhe në raport me shpenzimet e muajit janar dhe shkurt, pasi për këto dy muaj Korporata Elektronergjetike Shqiptare shpenzoi një total prej rreth 68 mln euro.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.