Financimi i edukimit të fëmijëve – Ja në cilat vende prindërit shpenzojnë më shumë
Financimi i edukimit të fëmijëve është një përparësi kryesore për shumicën e prindërve. Kur bëhet fjalë për këtë aspekt, prindërit në Hong Kong janë ata të cilët shpenzojnë më shumë, mesatarisht mbi 130 000 dollarë nga shkolla fillore deri në universitet.
Ndërkohë, në Emiratet e Bashkuara Arabe prindërit shpenzojnë pothuajse 100 000 dollarë mesatarisht, pasuar nga nënat dhe baballarët e Singaporit me 70 000 dollarë.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, prindërit shpenzojnë mesatarisht 58 000 dollarë, pra më pak se gjysma e shpenzimeve mesatare në Hong Kong.
Këto janë të dhënat e fundit të studimit të ri nga HSBC, i cili analizoi se sa prindërit në vende dhe territore të ndryshme anembanë botës shpenzojnë për edukimin e fëmijëve të tyre.
Mesatarja e shpenzuar në Francë është më e ulëta nga 15 vendet e anketuara, me vetëm 16 000 dollarë. Ndërkohë, edhe India, Indonezia dhe Egjipti shpenzojnë mesatarisht më pak se 20 000 dollarë për edukimin e fëmijëve të tyre.
Prindërit francezë janë gjithashtu shumë pesimistë për perspektivat e pasardhësve të tyre. Më pak se gjysma, rreth 42% janë të sigurt për një të ardhme të ndritur për fëmijët e tyre, krahasuar me mesataren globale prej 75%. Ata me pikëpamjet më optimiste mund të gjenden në Azi, ku pothuajse një në nëntë prindër në Indi, rreth 87% janë optimistë për të ardhmen e fëmijëve të tyre dhe 84% e prindërve në Kinë thanë të njëjtën gjë.
Rreth 87% e prindërve anembanë botës po ndihmojnë fëmijët për të financuar edukimin e tyre. Kjo përfshin pagesën e taksave për shkollim, libra, uniforma, transport dhe akomodim. Për këtë ata bëjnë shumë sakrifica personale, duke përfshirë reduktimin e aktiviteteve të tyre të kohës së lirë apo pushimet.
Nga të dhënat, prindërit paguajnë më shumë për fëmijët për t’i çuar në shkolla për mjekësi (13%), biznes, menaxhim, financë (11%) apo për inxhinieri (10%).
Mbi tre të katërtat e prindërve mendojnë se përfundimi i një diplome pasuniversitare është e rëndësishme për fëmijën e tyre në mënyrë që të punësohen me kohë të plotë në profesionin e tyre. Rreth 76 për qind e tyre po ashtu, janë të prirur që të kontribuojnë në financimin e arsimit pasuniversitar të fëmijëve të tyre.
Rezultatet e studimit u evidentuan nga mendimet e 8481 prindërve në 15 vende të botës: Australi, Kanada, Kinë, Egjipt, Francë, Hong Kong, Indi, Indonezi, Malajzi, Meksikë, Singapor, Tajvan, Emiratet e Bashkuara Arabe, Mbretëri e Bashkuar dhe SHBA.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.