Fitch për Turqinë – Mban vlerësimin “mbeturinë”, thekson kostot e stimujve ekonomikë
Agjencia Fitch ka mbajtur vlerësimin mbeturinë për borxhin sovran të Turqisë, duke përmendur rreziqe politike të brendshme dhe rajonale si dhe ndikimin e masave stimuluese ekonomike që mund të dobësojnë performancën fiskale të vendit.
Perspektivën, e mbajti në të “qëndrueshme”, që tregon se nuk planifikon ta ulë mëtej vlerësimin.
Fitch uli në muajin Janar vlerësimin e Turqisë në BB+ nga BBB-, që është niveli më i ulët në gradë investimi, duke shprehur shqetësimin mbi pasiguritë politike pas trazirave një vit më parë.
Ndërsa theksoi se stimujt i kanë dhënë një nxitje ekonomisë këtë vit, Agjencia shtoi se këto do të dobësojnë performancën fiskale të Turqisë, duke parashikuar zgjerimin e deficitit publik në 3.1% në raport me PBB, që është niveli më i lartë që prej vitit 2010.
Ministri i Financave Naci Agbal tha javën që kaloi se deficiti është rritur në 7.14 miliardë dollarë në gjysmën e parë të vitit, për shkak se masat fiskale që synojnë të nxisin ekonominë, kanë rritur shpenzimet.
Fitch parashikon një rritje mesatare të ekonomisë me 4.3% ndërmjet viteve 2017-2019, një normë shumë më e ulët se 7.1% që u regjistrua mes viteve 2011-2015.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.