Fitch vlerëson SHBA. Ndryshon perspektivën në “negative”, mban kreditin në AAA
Agjencia e vlerësimeve Fitch rishikoi perspektivën e Shteteve të Bashkuara në negative nga të qëndrueshme, duke përmendur përkeqësimin e fuqisë së kreditit, përfshirë rritjen e defiçitit për të financuar stimujt për të luftuar pandeminë. Agjencia theksoi gjithashtu se e ardhmja e politikave fiskale në SHBA do të varet pjesërisht ndaj zgjedhjeve të Nëntorit dhe formën që do të marrë Kongresi. Borxhi dhe defiçiti, që ndodheshin në rritje përpara pandemisë, kanë nisur të “gërryejnë” fuqinë e kreditit të vendit, sipas raportit të Fitch.
“Fleksibiliteti financiar, i mbështetur nga ndërhyrja e Rezervës Federale për të shtuar likuiditet tek tregjet financiar, nuk largon tërësisht rreziqet ndaj qëndrueshmërisë së borxhit në afat-mesëm dhe ekziston gjithashtu rreziku që politikëbërësit nuk do të konsolidojnë financat publike efektivisht për të stabilizuar borxhin pas pandemisë”, deklaroi Fitch. Agjencia shtoi se borxhi amerikan, që është më i larti ndër vendet sovrane që kanë një vlerësim prej AAA, pritet të kalojë 130% të PBB deri në 2021. Ndryshimi i perspektivës në negative mbulon një afat kohor të gjatë, ç’ka nënkupton se Shtetet e Bashkuara nuk përballen me një zhvlerësim të kreditit së shpejti.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.