FMN këshillon qeverinë – Më shumë taksa, mbikëqyrje më e fortë dhe imunitet nga politika
Pasi vlerëson se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një hendek mjaft të madh me Bashkimin Europian në infrastrukturë, Fondi Monetar Ndërkombëtar jep edhe një sërë këshillash. Të gjitha këto këshilla rrjedhin nga një rekomandim i patjetërsueshëm, se, nuk duhen rritur normat e shpenzimit për investime, pasi nuk ka hapësira fiskale.
FMN thotë se paratë duhen gjetur nëpërmjet mënyrave të tjera, si rritja e bazës së taksave, heqja e përjashtimeve nga taksat dhe heqja e incentivave, apo edhe implementimi i taksave të reja, si ajo e pronës. Në mënyrë që të rriten shpenzimet kapitale, duhen përmbajtur ato aktuale, thotë me ngulm Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Ndër të tjera, institucioni thekson faktin se, duhet përmirësuar edhe menaxhimi i investimeve publike në mënyrë që të përmirësohet edhe efiçenca e investimeve në infrastrukturë si rrjedhojë. Për të arritur këtë, FMN rekomandon: bashkëpunim më të madh mes palëve të interesit dhe sqarim të përgjegjësive, përgatitja dhe publikimi i një strategjie kombëtare për investimet, procese vlerësuese për projektet kyç, mbikëqyrje e vazhdueshme e qeverisë mbi PPP dhe ndërmarrjet shtetërore, transparencë buxhetore nga qeveria, si dhe audite të kryer në mënyrë periodike.
Nga ana tjetër, FMN këshillon që projektet prioritare në infrastrukturë të imunizohen nga politika, ç`ka do të thotë se rotacioni politik nuk duhet të zhbëjë projektet madhore në infrastrukturë. Edhe bashkëpunimi rajonal është një pikë e fortë për të përmirësuar infrastrukturën vlerëson FMN.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.