FMN në optimizëm, por ka sfida – “Përgatitje për tkurrjen e politikave monetare dhe ndryshimet teknologjike”
Kreu i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde, tha se ekonomia globale po tregon rritje të përhapur gjerësisht, megjithatë perspektiva mbetet me rreziqe përfshirë mospërputhjet tregtare, normalizimin e politikave monetare dhe ndryshimeve teknologjike. Lagarde tha se FMN pret një rritje globale prej 3.9% në vitin 2018 dhe 2019, të pandryshuar nga projeksioni i Janarit dhe në rritje nga 3.7% që ishte norma e 2017-ës.
Ajo shtoi se vendet e Azisë juglindore po përgatiten për norma më të larta të interesit në ekonomi të zhvilluara si Shtetet e Bashkuara dhe Europa dhe i bëri thirrje politikëbërësve që të qëndrojnë vigjilent mbi efektin që do të kenë në stabilitetin financiar dhe flukset e kapitalit.
“Normalizimi i politikave monetare do të ketë efekt të përhapjes në të gjithë botën. E presim prej kohësh këtë event. Megjithatë është ende e paqartë se si ky tranzicion do të ndikojë shtetet e tjera, kompanitë, vendet e punës dhe të ardhurat”, tha Lagarde.
Për vendet aziatike, FMN bëri të ditur se duhet të aplikojnë modele të reja të rritjes, duke i vënë theksin kërkesës së brendshme, tregtisë rajonale, diversifikimit ekonomik dhe përgatitur për ndryshime strukturore si rritja e automatizimit në fabrika, inteligjenca artificiale, bioteknologjia si dhe teknologjia financiare. Ndërkohë që këto mund të eliminojnë disa vende të punës, është e rëndësishme që vendet të shtojnë përpjekjen në edukimin e punonjësve, për t’i përgatitur që të shfrytëzojnë teknologjitë e reja.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.