Formalizimi i puseve – Gati projektligji: Subjektet t’i vetëdeklarojnë, gjoba 500 mijë-2 mln lekë
Të gjithë bizneset që shfrytëzojnë ujërat nëntokësorë me puse do të duhet t’i formalizojnë përmes vetëdeklarimit. Gjithçka u paralajmërua nga kryeministri, Edi Rama gjatë prezantimit të reformës në sektorin e ujit, ndërkohë që tashmë është hartuar edhe projektligji që i hap rrugën kësaj procedure.
Tashmë dokumenti është depozituar në kuvend për diskutim, ndërkohë që në relacionin që e shoqëron saktësohet se formalizimi i kësaj veprimtarie do të bëhet nëpërmjet lehtësimit të procedurave, nisur kjo nga problematika aktuale ku një numër i madh subjektesh fizike apo juridike kanë hapur puse për shfrytëzimin e ujërave nëntokësore. Afati brenda të cilit subjekteve do iu jepet e drejta e formalizimit do të jetë brenda 6 muajve nga data e hyrjes në fuqi e ligjit.
Ndërkohë që, subjektet që vetëdeklarojnë veprimtarinë e tyre brenda afatit të përcaktuar nuk do të ndëshkohen për kundërvajtjen administrative të kryer. Në rast në kundër, ligji parashikon edhe dënime me gjobë, që variojnë nga 500 mijë lekë deri në 2 milion lekë. Ndërkaq, pas miratimit në Kuvend, do të jetë Këshillim i Ministrave, që do të përcaktojë dokumentacionin që duhet të plotësojnë subjektet vetëdeklaruese.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.