Gara për Prokurorin e Përgjithshëm – Olsian Çela vlerësohet me më shumë pikë nga KLP, lë pas Arta Markun
Një ditë pas zhvillimit të intervistave me gojë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka kryer edhe pikëzimin e kandidatëve për postin e Prokurorit të Përgjithshëm. Ka qenë Prokurori i Krimeve të Rënda Olsian Çela që ka grumbulluar sasinë më të madhe të pikëve në raport me dy kandidatet e tjera, Arta Marku e Fatjona Memçaj.
Në mbledhjen e së enjtes, KLP bëri me dije se Çela është vlerësuar me 459 pikë, Arta Marku me 406 pikë ndërsa Fatjona Memçaj me 362 pikë. Lista e pikëzimit të kandidatëve që do t’i dërgohet Kuvendit është votuar nga të 11-të anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Kuvendi ka afat 30 ditë për votimin e tre kandidaturave, ndërkohë që fituesi duhet të sigurojë 83 vota të deputetëve. Procedura përcakton që nëse asnjë prej tre kandidatëve nuk merr 83 vota nga Kuvendi, postin e Kryeprokurorit të Përgjithshëm e merr kandidati që ka fituar më shumë pikë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.