“Garancia” e BSH: Norma bazë nuk pritet të rritet për vitin 2017

Banka e Shqipërisë ka orientuar tregjet mbi vazhdimësinë e politikës monetare lehtësuese gjatë gjithë këtij viti. Mbështetur në informacionin e raportit tremujor të politikës monetare, Këshilli Mbikëqyrës është shprehur se intensiteti i stimulit monetar nuk do të ulet përpara tremujorit të parë të vitit të ardhshëm.
Kjo nënkupton se norma bazë e interesit nuk pritet të rritet gjatë këtij viti kalendarik, megjithëse ekonomia pritet të arrijë nivelin e rritjes potenciale, nivel tashmë ka zbritur në diçka më pak se 4%. Në këto kushte, sektori privat dhe qeveria shqiptare do të vazhdojnë të përfitojnë nga normat e ulëta interesit për financimet në monedhën vendase.
Për familjet dhe bizneset kjo nënkupton se kredia do të vazhdojë të jetë e lirë, ndërkohë që kthimi nga depozitat do të qëndrojë në nivele të ulëta. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në muajin mars të këtij viti interesi i kredive të reja në lekë për individët ishte mesatarisht 7.38%, ndërsa për bizneset 6.8%.
Këto norma janë nivele të përafërta me fundin e vitit të kaluar dhe interesat e kredisë vijojnë të qëndrojnë në nivelet më të ulëta historike. Kjo favorizon kryerjen e investimeve me kosto më të ulët nga bizneset dhe familjet.
Sidoqoftë, rritja sasiore e kreditimit ngelet modeste. Pa llogaritur efektin e kredive të nxjerra jashtë bilancit prej bankave, rritja e kredisë në fund të tremujorit të parë ishte 3.3%.
Rritja është e mbështetur kryesisht nga kreditimi në monedhën vendase. Banka e Shqipërisë pret një rritje më të lartë gjatë këtij viti, kur kërkesa pritet të përmirësohet nga rritja e mëtejshme e ekonomisë reale, ndërsa oferta e bankave mund të jetë më e lartë, edhe falë uljes së raportit të kredive me probleme në 17.4%, niveli më i ulët që nga viti 2011.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.