Gjermania planifikon detyrimin e vaksinave – Stafi mjekësor, të vërtetojë vaksinimin. Ndërkohë që rriten infeksionet
Qeveria e re gjermane kërkon të bëjë vaksinimin ndaj Covid-19 të Detyrueshëm nga muaji Mars për personat që punojnë në spitale, shtëpi të kujdesit për të moshuarit dhe ambiente të tjera mjeksore, sipas një projektligji të parë nga Reuters. Gjermania është përpjekur të shmangë detyrimin e vaksinave prej shqetësimeve të përkeqësimit të mungesës së stafit mjekësor dhe të infermierëve, por së fundmi është rritur mbështetja e idesë, ndërkohë që vendi përballet me rritje të infeksioneve në valën e katërt të pandemisë.
Social Demokratët, të gjelbrit dhe demokratët e lirë, që pritet të formojnë një qeveri të re gjermane këtë Javë, flitet se do të prezantojnë ligjin në parlament në javën e ardhshme. Projektligji i parë nga Reuters thekson se stafi që punon në ambientet mjekësore duhet të vërtetojë se është vaksinuar apo shëruar së fundmi nga Covid-19, apo të paraqesë një certifikatë mjekësore që tregon se nuk mund të vaksinohet.
Ndërkohë që vendi përpiqet të vaksinohet apo të ofrojë doza nxitëse ndaj 30 milionë njerëzve përpara Krishtlindjeve, projektligji i jep gjithashtu leje dentistëve, veterinerëve dhe farmacistëve që të mund të japin doza nxitëse, për një periudhë të përkohëshme, me trajnim të posatshëm. Ligji i propozuar zgjat deri më 15 Shkurt masat e përkoëhshme që do t’i lejojë shteteve federale të Gjermanisë aftësinë për të ashpërsuar masat e karantinës.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.