Gjermania, tjetër rekord – Morali i konsumatorëve në nivelin më të lartë prej vitit 2001

Humori i konsumatorëve gjermanë ka prekur nivelin më të lartë që prej vitit 2001, tregojnë të dhënat e fundit që vijnë nga vendi, e që konfirmojnë se, ekonomia më e madhe e Europës nuk di të ndalet.
Këto të dhëna konfirmojnë pritshmëritë, se konsumi privat do të vijojë të jetë lokomotiva e ekonomisë gjermane.
Indikatori i ndjeshmërisë konsumatore, i publikuar çdo muaj periodikisht nga GfK, u rrit në 10.6 pikë, që është niveli më i lartë që prej Tetorit të vitit 2001.
Të dhënat rezultojnë gjithashtu mbi pritshmëritë e tregjeve dhe analistëve. Besimi i lartë i konsumatorit gjerman lidhet ngushtë me faktin se, të ardhurat në vend kanë prekur nivelin më të lartë që prej ribashkimit të dy Gjermanive, rrjedhojë edhe e tregut të fortë të punës.
Projeksionet më të fundit tregojnë se, të ardhurat e konsumatorëve do të vijojnë rritjen, e po ashtu edhe punësimi.
Konsumatorët ndër të tjera kanë pritshmëri mjaft të larta për ekonominë gjermane. Këta të fundit besojnë se, vendi është në një boom ekonomik, pavarësisht rreziqeve globale.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.