Gjici për ’60 minuta’: Ja sa është kostoja e një klubi futbolli në Shqipëri!

Të ftuar në emisionin ’60 minuta’ për të folur mbi ekonominë dhe financat e futbollit shqiptar, sidomos pas pandemisë, ishin Z. Duka, presidenti i FSHF, Z.Gjici, kryetari i Bashkisë Kukës dhe Z. Sulozeqi gazetar i Panorama Sport.
Safet Gjici është shprehur fillimisht mbi financat e klubit të Kukësit gjatë pandemisë. Ai ka thënë se jo vetëm për Kukësin, por për të gjitha skuadrat është një situatë e vështirë ekonomike për shkak të stadiumeve pa tifozë. Lidhur me pagën e ‘luftës’ që ka dhënë FSHF për periudhën e pandemisë, Gjici e ka cilësuar si një gjest të rëndësishëm dhe të vlerësueshëm human.
Për stadiumin e ri që po bëhet në Kukës, Z. Gjici është shprehur se punët nuk janë ndërprerë për shkak të pandemisë dhe priten të përfundojnë brenda afatit, pasi projekti është shumë i rëndësishëm për të gjithë sportdashësit kuksian e më gjerë, posaçërisht dhe për akademinë e të rinjve kuksian.
I pyetur mbi shumën e parave që duhen për të mbajtur një klub futbolli, e specifikisht atë të Kukësit, Z.Gjici i është referuar si “shpenzime të mëdha dhe fateqësisht jo gjithmonë rentabël”, që janë rreth 500.mijë euro në sezon.
Skerdilajd Sulozeqi, gazetari i Panorama Sport me pyetjet e tij ngacmoi vazhdimisht të ftuarit në studion e ’60 minuta’. Drejtuar Z. Gjicit ai ka pyetur lidhur më shqetësimin që ka kryetari i Bashkisë për vijimësinë e fondeve për klubin e Kukësit për shkak të pandemisë. Z. Gjici i është përgjigjur duke thënë se situata është shumë e vështirë, e mund të shkojë deri në shkurtime të rrogave, por ai mbetet optimist për shkak se klubi i kishte marrë masat për ndodhi të tilla.
D.B – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.