Gjiknuri fton italianët për PPP në infrastrukturë – “Shteti merr përsipër riskun e financimit”

Gjatë Forumit të Biznesit Shqipëri-Itali, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, njohu 200 sipërmarrësit italianë me mundësit që ofron Shqipëria për të investuar.
Ministri u shpreh se infrastruktura është sfida e madhe ku është fokusuar aktualisht vendi dhe konkretisht ndërtimi i rrjetit infrastrukturor rrugor.
Duke u ndalur tek partneriteti publik privat, Gjiknuri theksoi se qeveria shqiptare ka filluar një projekt ambicioz për të thithur kapital privat në ndërtimin e veprave infrastrukturore.
“Shteti do të marrë përsipër riskun e një financimi me atë që quhet pagesë e vlefshme për një periudhë afatgjatë. Ose varianti i dytë, në ato rrugë në të cilat ne jemi duke bërë studimet e fizibilitetit, që janë me pagesë. Edhe këtu parashikojmë të përfshijmë kapitalin privat dhe është e natyrshme që kompanitë italiane kanë një eksperiencë të mirë në vendet e tyre. Është normale që të bëhen pjesë e këtyre procedurave në Shqipëri”, vazhdoi Gjiknuri.
Në varësi të llojit të kontratës, Gjiknuri mori si shembull edhe sistemin e pagesës për disa nga rrugët, si aksi Kashar-Rrogozhinë. Në këto rrugë, financimi vjen tërësisht nga kapitali privat dhe ku investitori merr përsipër edhe riskun.
“Qeveria shqiptare nuk është e ngurtë në këtë drejtim, pavarësisht se Partneriteti Publik Privat, gjithmonë ngjall sensibilitet politik, por për ne nuk ka rrugë tjetër sepse shteti i ka mundësitë të kufizuara. Shqipëria ende nuk është anëtare e BE, që të mund të përfitonte në mënyrë masive nga fondet e integruara të BE, dhe PPP dhe interesi i kompanive private shihet si zgjidhja e vetme”, tha Gjiknuri.
Ministri prezantoi edhe sektorët e tjerë në zhvillim si transporti ajror, turizmi, sektori i gazit, energjia e rinovueshme dhe hekurudhat.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.