Gjurmuesi i EY Brexit zbulon: 7 mijë vende pune në financë kanë ‘braktisur’ Londrën për BE-në!
Më shumë se 7,000 vende pune në fushën e financës janë zhvendosur nga Londra në Bashkimin Europian si rezultat i Brexit, 400 më pak nga totali i parashikuar në dhjetor, tha të martën konsulentët EY.
Ndërsa totali është shumë më i ulët se 12,500 lëvizjet e vendeve të punës të parashikuara nga firmat në vitin 2016, kur Britania votoi për t’u larguar nga blloku, më shumë mund të pasojnë, tha EY në Brexit Tracker-in e saj të fundit.
EY tha se të punësuarit e rinj lokalë të lidhur me Brexit janë gjithsej 2,900 në të gjithë Europën dhe 2,500 në Britani, ku pak më shumë se një milion njerëz punojnë në sektorin e shërbimeve financiare.
Zhvendosje të mëtejshme mund të rezultojnë nga kontrollet e Bankës Qendrore Europiane nëse qendrat e Brexit në BE të hapura nga bankat që përdorën Londrën si bazën e tyre europiane kanë staf të mjaftueshëm për të justifikuar licencat e tyre të reja, tha EY.
Banka e Anglisë po i shqyrton këto për të shmangur që bankat në Londër të mbeten me shumë pak staf senior. Dublini është destinacioni më popullor për zhvendosjen e stafit dhe qendrat e reja, i ndjekur nga Luksemburgu, Frankfurt dhe Parisi.
EY tha se Parisi shënoi pikët më të larta për sa i përket tërheqjes së vendeve të punës nga Londra, me gjithsej 2,800, i ndjekur nga Frankfurt me rreth 1,800 dhe Dublini me 1,200.
Transferimi i aseteve nga Londra në qendrat e BE-së mbetet rreth 1.3 trilion paund (1.7 trilion dollarë), tha EY, duke shtuar se lëvizjet e stafit të Brexit janë tashmë pjesë e një këndvështrimi më të gjerë të nxitësve strategjikë të biznesit dhe modeleve operative. Bankierët kanë thënë privatisht se në terma afatgjatë, mund të mos ketë kuptim komercial të kemi qendra të mëdha në Londër dhe BE. RTS
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.