Goditja e Covid-19 tek ekonomia greke. Pritet të tkurret me 16% në tremujorin e dytë, kryesisht prej turizmit
Ekonomia greke pritet të tkurret me 16% në tremujorin e dytë, kryesisht prej rënies së të ardhurave nga turizmi, ndërkohë që sektori është goditur nga masat e karantinës së koronavirusit. Vendi ka përfunduar programet e ndihmave financiare në Gusht 2018, pas 1 dekade të krizës së borxhit. Koronavirusi i ri ka përmbysur pritshmëritë e vendit për një rimëkëmbje ekonomike dhe qeveria pret një tkurrje me 13% këtë vit.
“Për momentin duket se nuk ka turizëm në ishuj”, tha ministri i financave, Christos Staikouras. Muajin e kaluar ai projektoi një tkurrje ekonomike prej 10-13% këtë vit, si pasojë e masave të karantinës, që tashmë janë hequr thuajse të gjitha. Qeveria ka ndërmarrë hapa për të zbutur recesionin dhe mbështetur bizneset. Ekonomia u tkurr me 1.6% në tremujorin e parë nga i katërti. Staikouras tha se vlerësimi për tremujorin e dytë është përfshirë në të dhënat e dërguara tek partnerët europian të Greqisë, që tregon për një tkurrje prej 16% në periudhën Prill- Qershor.
Ministri shtoi se rezervat në para cash të vendit kanë arritur në 37.5 miliardë euro, pas të ardhurave së fundmi nga ankandet e bonove të thesarit dhe një emetim i obligacioneve, që gjeneruan 7 miliardë euro së bashku. Ministri shtoi se në Qershor dhe Korrik nu do të merret hua në tregje, pasi është mbuluar rreth 80% e huamarrjes së planifikuar për vitin.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.